E shkatërruam Kosovën, e dërguam Thaçin në Hagë dhe UÇK-në, e rrëzuam Ali Ahmetin dhe BDI-në, po e djegim Shqipërinë dhe …
E shkatërruam Kosovën, e dërguam Thaçin në Hagë dhe UÇK-në, e rrëzuam Ali Ahmetin dhe BDI-në, po e djegim Shqipërinë dhe po e bëjmë një mbretëri imagjinare të Çakorrit e të arave të Dëbelldëhit!
Shkruan: Selajdin Abdullahu
E shkatërruam Kosovën me përçarje, e ndamë popullin në taborë politike, e kthyem atdhetarizmin në monedhë elektorale dhe historinë kombëtare në fushëbetejë interesash partiake. Krerët e UÇK-së i dërguam në Hagë, ndërsa këtu, në atdheun për të cilin u derdh gjak, vazhdojmë të grindemi se kush e meriton më shumë lavdinë e kush duhet ta mbajë mbi supe fajin.
E rrëzuam Ali Ahmetin nga skena politike, pa e ditur ende se çfarë do të ndërtojmë mbi rrënojat e betejave tona. Sepse te ne, shpesh, rrëzimi i kundërshtarit shpallet fitore kombëtare, edhe atëherë kur qytetari nuk fiton asgjë dhe e ardhmja mbetet peng i pazareve politike.
Po e djegim Shqipërinë në flakët e përplasjeve politike, të akuzave dhe kundërakuzave, sikur vendi të mos ketë probleme më të mëdha se lufta për pushtet. Në vend që ta ndërtojmë Shqipërinë e dijes, të drejtësisë dhe të zhvillimit, harxhojmë energjinë duke luftuar njëri-tjetrin, ndërsa koha kalon dhe brezat presin.Armiqtë e Shqipërisë vetëm po i fërkojnë duart!
E, ndërsa shqiptarët merren me fitore e disfata të përditshme, po krijohen mbretëri të reja politike, me frone imagjinare e pretendime të mëdha, nga Çakorri deri te arat e Dëbelldehit. Dikush kërkon të bëhet mbret i një mali, dikush sundimtar i një partie, e dikush pronar i vetëm i historisë. Sikur ky komb të mos kishte vuajtur mjaftueshëm nga mbretëritë e huaja, nga kufijtë e padrejtë dhe nga ambiciet e atyre që e kanë parë pushtetin si pronë personale.
Por historia e shqiptarëve nuk është histori fronesh. Është histori qëndrese, sakrifice, mbijetese dhe rilindjeje. Është historia e një populli që, megjithëse e gjeti veten shumë herë të ndarë nga kufijtë, nuk arriti kurrë të ndahej plotësisht nga gjuha, kujtesa dhe ëndrra e vet kombëtare.
Dhe këtu fillon shpresa!
Sepse Kosova nuk është vetëm përçarja e ditës, as Haga nuk është faqja e fundit e historisë sonë. Shqipëria nuk është vetëm zhurma e politikës, ndërsa shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë thjesht numra në kalkulimet e pushtetit. Ne jemi më shumë se partitë që na ndajnë, më shumë se udhëheqësit që ngrihen e rrëzohen dhe më shumë se grindjet që na konsumojnë.
Jemi pasardhësit e atyre që, në kohët më të vështira, nuk e humbën gjuhën, nuk e harruan emrin dhe nuk e braktisën ëndrrën. Jemi populli që, edhe kur historia na e mbylli një derë, kërkuam një dritare; edhe kur na ndanë kufijtë, ruajtëm urat e kujtesës; edhe kur na u shua një shpresë, ditëm ta ndezim një tjetër.
Prandaj, le të mos jetë kjo koha e urrejtjes, por koha e kthjellimit. Le t’i gjykojmë politikanët me veprat e tyre, jo me kultin që u ndërtojmë; le ta mbrojmë drejtësinë pa e braktisur dinjitetin dhe ta kërkojmë bashkimin e mendjeve pa e shndërruar dallimin në armiqësi. Le ta ndërtojmë shtetin me institucione të forta, kombin me dije e kulturë dhe të ardhmen me punë, përgjegjësi e besim.
Sepse asnjë parti nuk është më e madhe se kombi, asnjë udhëheqës nuk është më i madh se historia dhe asnjë përçarje nuk është më e fuqishme se vullneti i një populli që vendos të ecë përpara.
Le të bien mbretëritë e rreme, por të ngrihet dinjiteti kombëtar! Le të shuhen zjarret e urrejtjes, por të ndizet flaka e shpresës! Le të mbarojë koha e sundimtarëve të vetëshpallur dhe të fillojë koha e qytetarit të lirë, e drejtësisë së barabartë dhe e përgjegjësisë kombëtare!
Kosova, Shqipëria dhe viset e tjera shqiptare nuk kanë nevojë për mbretër të Çakorrit, të Dëbelldehit apo të ndonjë are tjetër. Kanë nevojë për njerëz të urtë, udhëheqës me vizion dhe qytetarë që nuk e shesin të ardhmen për një fitore të përkohshme.
Dhe, kur një ditë pasardhësit tanë të kthehen e ta lexojnë këtë epokë, le të mos thonë se ne ishim brezi që e shkatërroi njëri-tjetrin. Le të thonë se ishim brezi që i njohu gabimet, i kapërceu përçarjet dhe pati guximin ta kthente zhgënjimin në shpresë.
Sepse kombi shqiptar nuk ka lindur për të mbetur peng i gabimeve tona. Ka lindur për t’i kapërcyer ato, për ta ngritur kokën lart dhe për të ecur drejt një të ardhmeje ku liria të ketë kuptim, drejtësia të mos ketë anë dhe bashkimi të mos jetë vetëm fjalë nëpër fjalime.
Rroftë shqiptaria, rroftë dinjiteti ynë kombëtar dhe rroftë e ardhmja që do ta ndërtojmë së bashku! /2LONLINE/
