Lidhja e Prizrenit ishte lëvizja e parë e shqiptare e madhe e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake që prej kohës së Skënderbeut. Të detyruar nga rrethanat specifike të vitit 1878, shqiptarët thirrën një Kuvend Mbarëkombëtar, i cili synonte bashkimin e Shqipërisë, transmeton Indeksonline.
Më 10 qershor 1878 në Prizren të Kosovës, Kuvendi hapi dyert për të pritur delegatët, të cilët do të vinin nga të katërt Vilajetet e Shqipërisë: Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës. Edhe pse fraksione të ndryshme penguan organizimin e kësaj mbledhjeje dhe një pjesë e mirë e të ftuarve arritën me vonesë Kuvendi i nisi punimet. Dy ishin rrymat kryesore që u debatuan: atdhetarët të cilët mbrojtën idenë e një bashkimi kombëtar dhe territorial, dhe fraksionet osmane të cilët ushtronin presionin që edhe nëse Shqipëria do të funksiononte veç administrativisht, sërish të varej nga Porta e Lartë. Kuvendi, i cili themeloi lidhjen e parë mbarëshqiptare zgjati 5 ditë dhe numri i delegatëve shkoi në 110.
Një nga fjalimet që u mbajt mend aty ishte ai i Abdyl Frashërit: “Qëllimi i Kuvendit është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”. Dy aktet e para që mori Lidhja e Prizrenit ishin një peticion nisur Kongresit të Berlinit dhe një tjetër perandorisë osmane. Aty i bënin të qartë se Shqipëria nuk mund të jepte asnjë pëllëmbë tokë nga viset e saj,të shoqëruara më dhjetëra firma nga atdhetarët pjesëmarrës.
Ky është dokumenti i Lidhjes së Prizrenit i cili është përkthyer në shqipën e para unifikimit të gjuhës shqipe nga Xhafer Belegu.
http://www.indeksonline.net/?FaqeID=2&LajmID=165607