( Shënime kritike për librin me poezi të Sabit Rrustemit, “Grafite nënlëkurore “, botim i shtëpise botuese “Beqir Musliu” , 2015 ).
Fatmir Minguli
Në dy kohë
për Ty jetoj
E nuk shterr.
( nga poezia “Në dy kohë” )
Libri më i ri i poetit gjilanas “Grafite nënlëkurore” i Sabit Rrustemit hapet me një përkushtim ndryshe nga ato të zakonshmet, për sponsorët apo mbështetësit e veprës. Përkushtimi i poetit është ky: “ Familjes e miqëve që më rikthyen në jetë, sërish.”
Duke ndjekur me vëmendje poezinë e Sabit Rrustemit, vëren se që nga viti i largët në kohë 1981, me librin “Ku i la lisat era” do të shohësh gjurmë të shumta që rifillojnë në 1992 e vazhdojnë deri tek libri i poezisë së vitit 2015. Në ndjekje këmbë mbas këmbe të librit të mëparshëm “Murale shpirti”, lexuesi e ndjen ngjitjen e poetikës së këtij poeti të përkushtuar. Me këto dy libra, muralet- grafitet, Sabiti ka gdhendur tatuazhin në mendjen dhe trupin e tij poetik. Jo se këto janë gjetje karakteristike dhe nuk i ka “kapur” njeri por se në këto grafite përpunohet një filozofi e tërë e jetës ndër shqiptarë e veçmas në Kosovë. Grafitet janë një lloj si shkruan Bob Dilan” Shfryn nëpër erë”, ku kushdo dhe kurdo shpreh mendimin e tij të lirë, ashtu pa autorësi…
Poezitë e këtij libri janë mendime që lëvizin në kohë dhe në pakohë, janë mendime si të copëzuara por si në pikturat e Pikasos, kur i sheh me kujdes dhe dashamirësi kupton se gjëndesh para një tablloje reale. Kështu në poezitë e pjesë s së parë të librit, “Lexime në mur” ndeshemi pikërisht me këto lloj pjesësash të shkëputura por që me figura moderne, madje të guximshme, ato vinë e bashkohen faqe pas faqe të librit-grafit. Çasti, vetmia, meditimi, peisazhi minimal, befasia e zgjidhjes, delikatesa e vargut , janë vetëm disa nga këto elementë të artificës së poezisë së Sabit Rrustemit.
Asnjë fjalë më të bukur se ajo buzëqeshje
nuk ndesha kund
dhe gjuha m’u tha në kërkim
Në ditëlindjen e saj memec mbeta.
Ose kur ai imazhin e gjen në fenomenin më të zakonshëm të jetës, në çdo kohë qoftë ky fenomen:
Ti që kurrë nuk shkele në një skenë teatri
Jetën reale e luajte në skenë të hapur.
Idetë e Sabitit tek shkruan poezi janë ato se grafitet ekzistojnë pothuaj në çdo njeri që ai i krahason edhe me muret e pashkruara gjer më tani. Por në esencë çdo mur kërkon të shkruhet, çdo njeri e do fjalën e mirë dhe një lloj përfillje sado e cektë të jetë ajo. Njerëzit si muret, muret si njerëzit… Nëse them se ai përdor filozofinë në këtë libër e mbështes në “hetimin poetik ‘ që e ka emrin e tij si kërkues.Hetimi i tij është tejet i imët, që shkon deri në qelizën me të vogël të mendimit apo të dëshirës njerëzore. Në saj të hetimit poetik , ai zhvillon kritikën ndaj kohës që kalojmë, ndaj kontraversëve, ku shpesh ironia e thellë depërton në brendësi të padukshme. Influenca e politikës është një nga tharmet pozitiviste që duket qartas në poezitë e këtij karakteri. Shpalos shpirtin e tij rebel edhe tek poezitë e këndshme “ultra të shkurtra.”
Ndryshe Sabiti është dhe një aktivist i jetës sociale dhe politike të vendit.
Pak vetë e pranojnë humbjen si burrat
qindra burrecë zvarriten pas fituesit
për t’ia lëpirë dhe këpucët.
Poezitë “ultra të shkurtra” janë pamfletet e Sabit Rrustemit. Kushdo që ka ndjekur faqet e Facebookut e ka lexuar poezitë e Sabitit, tek merr në dorë këtë libër të ri do të kuptojë se në poezinë e tij ka origjinalitet bukur të dallushëm nga poetë të tjerë. Grafiti që vizatohet në sipërfaqen e poezisë së Sabitit depërton drejt e në shpirtin e njeriut.
Përse është e pakohëshme poezia e Sabit Rrustemit? Sepse ajo i ngjan një ditari e ditari nuk është i përditshëm. Sepse pakohëshmëria e poezisë së tij është njëkohësisht dhe e gjithkohëshme, sepse abstraktja shkrihet në realen dhe koha e humbet kuptimin e saj fizik e kthehet e bëhet fluide duke depërtuar thellë në skaje të njohura e të panjohura të jetës njerëzore. Pakohësia e poezisë është e bazuar edhe në ecejaket e poetit që nga koha e pushtimit serb, që nga koha e dinjitetit të të parëve tanë e deri tani e më tej në të ardhmen. Ato lëvizin kohë e pa kohë por mendimi atdhetar është i palëvizshëm, është një monument që nuk mund kurrsesi të shkulet nga zemra dhe mendja e poetit.
Duke lëvizur nëpër kohëra, Sabit Rrustemi ka ditur të rrëmbejë dhe bukuritë e femrës e t’i shpalosë ato përsëri në forma të ndryshme si në ato me vargun e tij të thyer ashtu dhe me muzikalitetin e poezisë së popullit, çka e kultivon që herët. Ky përqafim është befasues për faktin se ai është poet ku vargu i tij i lirë është i veti ndërsa hyrja e tij në odat e poezisë popullore është befasuese.
Prandaj dhe libri më i ri i Sabit Rrustemit “Stina e meseleve” është jo vetëm befasues por dhe mbresëlënës.
E parë kështu në një shtjellim të gjerë poezia e Sabitit është njëkohësisht dhe pjesa përbërëse e poezisë së Gjilanit. Në se në një shkrim timin të para ca ditëve hodha këtë ide timen, mund ta përforcoj duke u nisur edhe nga shikimi që po i bëj poezisë në librin “Grafite nënlëkurore”.
Në krahinën e Gjilanit po e lëvrojnë poezinë shumë poetë e poete me origjinalitete të personalizuara. Por ndryshe nga shumë krahina të tjera në trojet shqiptare, në Gjilan ndodhin disa fenomene që e përforcojnë grupimin e poezisë së Gjilanit.
Cilat janë ato?
Aktivitetet e shumta të përvitshme dhe brenda vitit si “Flaka e Janarit”, “Trekëndëshi i Paqes”, promovime të herëpasherëshme të librave të rinj, botimi serioz i një reviste letrare “Agmia”, aktiviteti i paparë në faqet e Facebookut ku bëhet diskutimi virtual I poezive gjilanase dhe përkrahja e jashtëzakonshme e pushtetit lokal për poetët e truallit të vet. Besoj se nuk janë pak për të thënë se kemi të bëjmë jo vetëm thjeshtë një një grup poetësh.
Para ca ditësh Sabit Rrustemi mori një çmim në Festivalin e poezisë “Pranvera durrësake”. Ishte çmimi i dytë midis shumë çmimesh që u ndanë atë ditë. Një çmim i merituar për një poet të rëndësishëm.