DYLON

E pa epura lirikë e dashurisë

Avatar photo Redaksia

/Shefqet Bylykbashi “Ditët që nuk më njohin më”; Prishtinë, 2016/

Shkruan: Mehmetali Rexhepi

EkoHigjiena

Shefqet Bylykbashi në vëllimin e ri poetik “Ditët që nuk më njohin më”, sjell përsiatje dhe gjakime poetike, për mospërmbushjen e përmasës jetësore e kohore të dashurisë, atëbotë kur ajo varfëroi kuptimin e bukurisë së jetës.

Bukuria pa dashuri është si bora. E bardhë, e bukur, por e ftohtë, pohon diskursi lirik i këtij poeti. Epiqendra e kësaj dridhjeje lirike është subjekti i lënduar i poetit , çiltërsia e skajshme deri në marrëzi. Kjo është lënda thelbësore, cila i ngashënjeu e vazhdon t`i josh poetët e të gjitha periudhave, rrymave dhe formacioneve stilistike-letrare për ndërtimin e superstrukturës së poezisë.

Dy përmasa jetësore: koha e papërmbushur ose pengu i dashurisë dhe lajthitja e saj, e mbështjellin hapësirën e shtrirjes poetike të këtij autori, të kësaj poezie.

Autori, Shefqet Bylykbashi nuk dorëzohet në mësymjen e tij… Pse? Sepse mësymja që ndërmerr nuk është vardisje false, as epsh i rastit të dhënë. Është një brumosje tejet e thellë, e një gjerësie dhe ndjeshmërie lirike deri në qenësinë e qenies shpirtërore të njeriut. Andaj, kjo dashuri e përmasës së këtillë nuk e meriton lajthitjen.

Megjithatë, stili i të shprehurit lirik i poetit Shefqet Bylykbashi, ndërtohet përmes antonimive të forta të lajthitjes së dashurisë.

Lajthitja lirike e dashurisë shpërfaqet përmes një tisi mallëngjyes, me doza dyshimi e dëshpërimi, por assesi dorëzimi. Poeti është i lidhur fuqishëm me konceptin jetësor e shkrimor të dashurisë. Ku mungon dashuria e jetës, mëton të futet parësorja e një lirike të çiltër për bërjen dhe (zh)bërjen e dashurisë së tillë. Nga këndvështrimi i ndjeshmërisë së kësaj lirike, kemi një qasje me tipare të veçanta për dashuri “me hijeshinë epike” të saj.

Në qoftë se iku vasha me dashurinë e lajthitur, zbrazëtisë së Asaj hyjnë metaforat e mungesës, si ofshamë e sinqertë, e cila ndjell nëmë poetike:
“Lëkurën të mos e terësh
Nën rrezet e dashurisë sime…”
Përsiatja lirike për mungesën e çiltërisë gjatë shtjellimit të saj, ecejakeve, ngrit-rënieve të tyre, solli shkak-pasojat e shpirjes në sprova temperaturash, gjendjesh shpirtërore të tendosura:
“Është pak më e ëmbël se vdekja
Pak më e hidhur se burgimi i përjetshëm”

Magneti i lektisjeve lirike

Të gjitha lektisjet lirike, metaforat dhe epitetet metaforike, kontrastet shpirtërore, në vëllimin poetik “Ditët që nuk më njohin më”, i tërheq e i mban pezull një magnet i padukshëm, që shtrihet mes të ndodhurës, mungesës e pritjes…

Kumti refuzues dhe kuptimi lëndues kanë një lidhje paradoksale të pakëputur. Ngase, ende asgjë nuk ka përfunduar. Drama e përsiatjeve lirike për kthimin e mungesës së dashurisë vazhdon!

Në këtë diskurs lirik, mungesa e dashurisë është e njëanshme. Për poetin nuk kanë pushuar dhimbjet e ëndjet e bukura, edhe pse të përdhosura. Kësaj rrjedhe logjike të ndodhive poetike, mos është duke u përplasur poeti me vetveten? Intuita e tij e dashurisë nuk njeh, as përfillë parime tjera për dashurinë, pos zërit të pashmangshëm të natyrës saj! Kjo lirikë dashurie e ngërthen dhimbjen. Dhimbja është prodhimtare ndjesish, përfytyrimesh të pa rezistuara, pamjesh e kujtimesh drithëruese, etjesh të pashuara për të këndshmen përballë të pakëndshmes, të cilat i ngërthen jeta… Ndërsa mëton t`i zbërthejë, për aq sa e kanë forcën zbërthyese akëcili poet, akëcila nga penat e artit të vargut poetik. Gjithsesi, këtu shpalohet dhe mënyra e zbërthimit lirik të Shefqet Bylykbashit.

Kush humbi nga shmangia e objektivit të dashurisë: dashnori, e dashura a poeti?
Nga kjo mungesë përmbushjeje mes objektit dhe subjektit lirik, do të ketë trazira të dhimbshme, sepse ndjenjat e jonizuara do të ziejnë deri në vlimin e tyre; por do të përfitojnë variacionet e pa prajshme të gjakimit për përmbushje të shumëçkaje, që lidhet me mungesën si kategori jetësore, dhe i jepet estetikës së shkrimit për t`i pleksur kategoritë e së bukurës.

Poezia e këtij poeti nuk shmanget nga objektivi parësor i saj: rikthimi i objektit të humbur të një dashurie të pa baraspeshuar, me gjithë huqet e lajthitjet e saja. Pra, le të nënvizojmë këtu pa epshmërinë a konsistencën e vijueshme (po)etike, për rikthimin e diçkaje thelbësore, për t`ua dhënë jetës e artit përmbajtjen e lumturisë.

Këtu shfaqet lirika e cila mëton realizim të natyrës njerëzore, diçka e qenë, shije-ëmbël, më tej e athtësuar nga prerja e lëndimi shpirtëror, tashmë e ikur, e munguar, e mërguar për ndjenjat, për shpirtin thellësisht të zhytur në dashurinë e Saj. Mësymja lirike, për mos ndalje të ecejakeve rrafshit e kodrave të antonimeve të shpirtit të trazuar nga lajthitja, nuk ka prajtur:
“As dimër që fle nuk je
As akull që shkrihet”
Me gjithë atë, magneti i dashurisë për poetin e lexuesin është çudibërës, madje deri në shkallë të skajshme ngarendjesh, duke u sjellë orbitës së prekshme të saj:
“Ti, vazhdimisht
ikën e vjen
Si kënaqësi bushtre
( as pa këso kënaqësie tënden
nuk mund të rri)”

Diskursi dhe lektisjet poetike për t`u përmbushur tërësisht, si duket, pos pashmangshmërisë, ndjejnë dhe pasiguri e luhatje, deri në atë pikë të gufimit, të derdhjes e shkrumbit të tëmblit të dashurisë. Por, kjo lloj lirike, assesi nuk mund të heq dorë nga diçka e thadruar thellë në brendinë e poetit:
“Lexoje edhe këtë letër
Se jam duke i shqyer thasët e vjetër në zemër
Të mbushur me pritje”

* * *
Si e këtillë, kjo poezi mund të përkufizohet si një lirikë e paepur dhe konsistence për dashurinë.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.