Minavere Rrustemi nga Vitia, sa punonte si infermiere ishte në shërbim të atyre pacientëve që vuanin nga sëmundje të ndryshme.
Por, jeta e sfidoi vetë atë kur u prek nga kanceri në gji e u bë paciente që kishte nevojë për kolegët e profesionit shëndetësor që të kujdeseshin për shëndetin e saj, transmeton Plus TV.
Pas diagnostikimit me kancer ajo u përballë me shumë vështirësi në tretmane mjekësore e pasiguri.
Minaverja ishte diagnostikuar me kancer të gjirit vitin e kaluar, derisa thotë se ishte operuar në një spital në vend, kurse trajtimin e kishte marrë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
“Fillimisht kam bërë një memografi dhe rezonancë magnetike, pastaj kam shpëtuar me operacion dhe me katër cikle kimioterapi”, thotë Rrustemi.
Nëna e tre fëmijëve, thotë se dëshira e madhe për jetën, e ka ndihmuar për ta fituar betejën me këtë sëmundje.
Pacientja që i mbijetoi kësaj sëmundjeje, tha se e kishte zbuluar qysh në fazën e parë kancerin dhe ishte nën përcjellje të mjekëve.
Minaverja sot është kthyer në punë në QKMF-në e Vitisë e shëruar dhe është pritur me shumë dashuri nga stafi dhe koleget e saj të punës të cilët i kishin qëndrua afër sa ajo përballej me kancerin.
Ajo i ka lutur gratë që të bëjnë kontrolle të shpeshta dhe të ruajnë shëndetin.
Kaneceri i gjirit është një ndër sëmundjet më të shpeshta tek gratë dhe mund të parandalohet nëse zbulohet me kohë çka e bën më të lehtë shërimin.
BURIMI: PlusTV