Nga: Bashkim ISUFI
Ministria e Pushtetit Lokal (MPL) ia ka dërguar një shkresë Komunës së Gjilanit me datë 18.08.2020, përmes të cilës ia ka bërë të ditur se Rregullorja për procedurën e ndërtimit të objekteve me karakter të përkohshëm në pronat e personave fizik dhe juridik, e miratuar nga Kuvendi i Komunës së Gjilanit se është e kundërligjshme.
Në shkresën e Ministrisë, drejtuar Komunës, thuhet se Departamenti Ligjor i Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit (MEA), ka pranuar për shqyrtim të detyrueshëm të ligjshmërisë, ashtu siç parashihet me nenin 18 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, aktin komunal: Rregulloren 01. Nr. 016-60452 datë 24.07.2020 për procedurën e ndërtimit të objekteve me karakter të përkohshëm në pronat e përsonave fizik dhe juridik (KGJ) Nr.3/2020, miratuar nga KK Gjilan, por të njëjtën MEA, e ka vlerësuar se është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Sipas vlerësimit të dhënë nga kjo ministri, akti i komunës është në kundërshtim me nenin 19 paragrafi 2 të Ligjit Nr. 04/L-110 për Ndërtim, me të cilin përcaktohen vetëm kompetencat e organeve kompetente për lëshimin e lejeve ndërtimore, ku decidivisht thuhet: “Komunat lëshojnë leje ndërtimore për kategoritë I dhe II të ndërtimeve”. Ashtu siç ishte thënë me kohë edhe nga ana ime, se nxjerrja e kësaj rregullore do të bie ndesh me dispozitat e legjislacioni në fuqi.
Njëherësh, kjo ministri ia bënë të ditur Komunës së Gjilanit se Ligji Nr. 04/L-110 për Ndërtim, lejet ndërtimore të përkohshme i parasheh vetëm për objekte ndihmëse në kuadër të një leje ndërtimore, ku dhe i propozon MPL-së, që të “Kërkoj nga Kuvendi i Komunës/Kryetari i Komunës që të ndërmarrin veprime konkrete që aktin e komunës ta harmonizojnë me dispozitat ligjore në fuqi, brenda 30 ditësh nga data e pranimit të kërkesës për rishqyrtim të aktit”, mirëpo deri më sot nuk kemi asnjë veprim konkret për harmonizimin e kësaj rregullore nga komuna.
LEXO EDHE: Komuna e Gjilanit kopjon rregulloren e Komunës së Prishtinës