E keni tepruar!
Volteri ka thënë: E urrej pikëpamjen tënde por do ta mbroj me jetën time të drejtën që ke për ta shprehur atë. E një shprehje e vjetër thotë: Gjuha eshtra s’ka po eshtra thyen. Prandaj, kujdes, jepini fund eskalimit të gjuhës në komunkimin publik, sepse është e ulët, urretjtëse, neveritëse…Qytetarit nuk i duhen zhurma, as parullat, por veprat konkrete dhe të prekshme që përmirësojnë jetesën dhe përspektivën e tij.
Shkruan: Nexhat Buzuku
Të gjithë po gënjejnë! Kurrë nuk ka pasur më shumë injorancë dhe urrejtje në këtë vend! Në këtë vend nuk ka mbetur gjë e zezë pa u bërë e pa u thënë. Dikur ndaj nesh, e tash jemi kthyer kundër njëri-tjetrit. Fjalët më bizare, më të ulta, më denigruese po përdoren në komunikimin publik. Secili i jep të drejt vetes për të sulmuar tjetrin, pavarësisht është mirë apo keq, e thotë të vërtetën apo gënjeshtrën. Janë përzier kriteret, nuk ka mbetur asnjë yndyrë njerëzore e etike në sytë e këtyre politikanëve, por fyerja dhe gënjeshtra si dukuri joetike kanë marrë shtrirje edhe në segmente të tjera të jetës. A po rrëshqasim drejt një shoqërie të sëmurë!
Një duhet ta dijnë të gjithë, se sa më shumë që shaheni, fyeni, akuzoni njëri-tjetrin aq më shumë do të urreheni nga qytetarët. Mos e nxirrni gjithë energjinë negative jashtë dhe kundër tjetrit, angazhohuni në punë të sinqerta që të keni mundësinë për riciklim energjishë pozitive. Ulini shpatat e urrejtjes. Jemi pak e të vegjël si popull për t’u sharë e për t’u ndarë. Krenaria e tepruar, e rreme dhe pasioni për pushtet, pra bajraktarizmi, nuk duhej të jenë “virtyt” i ynë demokratik.
Merruni me probleme qytetarësh, ofroni alternativa zhvillimore, perspektivë dhe pozitivitet. Ndaleni turrin kush po fyen e kush po godet më shumë. Qytetarit nuk i intereson, ama hiç, se kush çka është, i djathtë apo i majtë, demokrat apo komunist, i krahinës së dikurshme apo i republikës së sotme! Qytetarët duan nga ju të gjithë, pozitë e opozitë, jetë më të mirë, mirëqenie sociale, punësim, arsimim cilësor, shëndetësi efikase, jetesë me dinjitet. Jeni duke e tepruar. Nuk jeni pronarë të këtij vendi, asnjëri nga ju, as të pozitës as të opozitës.
Qytetari nuk ka nevojë për parulla politike të kujdoqofshin ato, as për gjuhë kërcënuese, as për shpëtimtarë të retorikës dhe pa alternativë. Qytetari kërkon dhe prêt vepra dhe jo fjalë pa fund, punë dhe vepra konkrete të prekshme dhe jo zhurmë.
Secili le të bëjë punën e vet, edhe pozita, edhe opozita, edhe policia, edhe zyrtari, edhe doganieri…Secili ka përgjegjësitë e veta, dhe nuk mundeni apriori të gjykoni për çdo gjë e për gjithçka në këtë vend.
Gara “demokratike” e sharjeve dhe denigrimeve duhet të marr fund, ndërsa fryma e komunikimit të matur, etik dhe të kulturuar brenda spektrit politik dhe në raport me njëri-tjetrin e me qytetarin të bëhen normë e jetës politike dhe publike. Kjo mënyrë e komunikimit të ulët është duke përçuar mesazhe shumë negative në popull dhe te ndërkombëtarët.
Prandaj, gjithnjë po mbetemi të vetëm, sepse e kanë kuptuar se nuk jemi serioz në asnjë punë, në asnjë çështje. Gjithnjë po mbetemi të vetmuar e pa përkrahje, sepse po sillemi sikur sakati që sapo ta lëshosh rrëzohet. Po mbetemi gjithnjë anash dhe të papeshë, sepse e kanë kuptue se punët e nisura i lëmë në gjysmë. Na kanë kuptue se nuk e kemi seriozisht ndërtimin e shtetit, por bajraktarizmin dhe pushtetin. Na kanë kuptue se bëjmë shumë zhurmë e pak punë! Na kanë kuptue se nuk jemi kurrkund e kërkah hiç. Na kanë kuptue se po sillemi si fiset barbare ndaj njëri-tjetrit dhe atë pak energji pozitive e kemi kthyer në negativitet dhe urrejtje ndaj njëri-tjetrit.
A do të na kuptojnë pastaj se, megjithatë, kemi edhe energji pozitive për ta ndërtuar shtetin, jo me sharje, por me punë.
Mos profetizoni aq shumë. “Nemo popheta in patria” (Nuk mund të bëhesh profet në vendin tënd), lat.
Mësojeni përmendësh atë që e ka thënë Volteri: E urrej pikëpamjen tënde por do ta mbroj me jetën time të drejtën që ke për ta shprehur atë. /2L ONLINE/
