Në kuadër të projektit “Strehimi”, Qendra e Solidaritetit dhe Avancimit të enjten zyrtarisht bëri dorëzimin e çelësave kryefamiljarit Jakup Musliu nga Bujanoci.
Familjes Musliu gjatë muajit korrik i ndodhi një fatkeqësi, për shkak se shtëpia e vjetër në të cilën jetonin, iu dogj për shkaqe të panjohura, apo siç dyshohet nga instalimet elektrike. Në ato momente, familja gjashtë anëtarëshe Musliu mbeti nën qiell të hapur, në mëshirë të fatit.
Për rastin në fjalë u njoftua opinioni i gjerë përmes mediave lokale elektronike ku web-portali Titulli.com ishte i pari që lansoi lajmin e hidhur për familjen Musliu, ndërsa QSA menjëherë e evidentoi si rast që duhej ndërmarrë diçka konkrete për ndërtimin e shtëpisë.
Ndërkohë tek QSA u paraqit donatori kryesor – partner i rregullt i QSA në projektin “Strehimi” dhe shumë projekte të tjerë, i cili u solidarizua me familjen Musliu përmes QSA-së dhe morri përsipër obligimin për të kontribuuar për ndërtimin e shtëpisë, duke vënë në dispozicion një shumë të konsiderueshme financiare. Që nga ai moment, QSA shpalli publikisht që do të marrë përsipër ndërtimin e shtëpisë.
Me familjen Musliu pa hezitim u solidarizuan edhe banorët e lagjes dhe qytetarë të ndryshëm të vullnetit të mirë, të cilët u organizuan dhe themeluan Këshillin organizativ.
Ky këshill ishte aktiv gjatë gjithë kohës së ndërtimit të shtëpisë deri në përfundimin final të saj. Ata u mobilizuan maksimalisht duke i kontaktuar kompanitë lokale për t’a mbështetur iniciativën në fjalë.
Me familjen Musliu u solidarizuan edhe kompanitë lokale dhe persona fizik, të cilët e ndihmuan ndërtimin e shtëpisë në forma të ndryshme, si financiare, me materiale dhe prodhime të tyre, ofrimin e shërbimeve të ndryshme gratis apo të fuqisë punëtore. Me një punë të përbashkët u arrit të kurorëzohet ndërtimi i shtëpisë dhe shtruarja e mobilimi i plotë i saj me orendi dhe pajisje elektro-shtëpiake.
Projektin e kishte mbështetur edhe komuna e Bujanocit me shumë prej 200,000 dinarësh.
Kostoja e përgjithshme e shtëpisë është 23,154 euro, ku QSA në këtë rast siguroi 5,065 euro, ndërsa shumat tjera u siguruan nga kontribues lokal – kompanitë private nga komuna e Bujanocit 5,189 euro dhe një qytetar lokal nga komuna e Preshevës, i cili për ndërtimin e shtëpisë dhuroi shumën prej 1,000 eurosh. Shumën më të madhe të parave e kishte grumbulluar Këshilli organizativ nga bizneset lokale dhe njerëzit e vullnetit të mirë në vlerë prej 12,900 eurosh, njofton QSA.
QSA me seli në Preshevë, në emër të saj dhe familjes përfituese, falënderon të gjithë kontribuuesit që me kontributin e tyre mundësuan realizimin e ndërtimit të shtëpisë familjes Musliu nga Bujanoci, si dhe për kontributin e vazhdueshëm që po e japin në kuadër të projektit “Strehimi” në përgjithësi.
http://titulli.com/index.php?m=post&s=5464