Sabit Rrustemi është nga poetët e rrallë të botës sonë që me prirje dhe me përkushtim të veçantë ka bërë objekt poetik dashurinë, që dëshmohet mirëfilli edhe me këto dy vëllime në dorëshkrim.
Nga: Anton Nikë Berisha
Me këtë ai dëshmon vazhdimësinë e traditës sonë letrare të trajtimit poetik të dashurisë, qoftë kur ajo dëshmohet midis njerëzve në përgjithësi dhe dashuria e gruas dhe e burrit (mashkullit dhe femrës) në veçanti, po edhe dashuria shpirtërore dhe hyjnore (dashuria si ideal, dashuria si bukuri ose dashuria e Hyjit për njerëzit dhe dashuria e njerëzve për Hyjin) ose dashuria si prehje dhe kënaqësi, pa lënë anash shqetësimin, vuajtjen dhe pësimin që i shkakton ajo.
Poezinë e dashurisë të Sabit Rrustemit të këtyre dy vëllimeve të një libri, e cilëson shumësia e qasjeve dhe shumëllojshmëria e shqiptimit të dashurisë; të shprehurit poetik dhe pamjet – tablotë e pasura, që njësohen dhe bëjnë një mozaik tërësor artistik; natyrshmëria e rrëfimit; mëvetësia e përftimit të varianteve; ballafaqimi dhe përplasja e dukurive, e aspekteve dhe e mendimeve; mbrumja dhe gërshetimi i realiteteve të ndryshme, që dashur e padashur, të kujtojnë realitetin e ëndrrës, ku s’ka kufij kohorë, hapësinorë dhe mendorë; gjerësia dhe thellësia e vrojtimit të dashurisë dhe mundësia e madhe, herë – herë e jashtëzakonshme, e komunikimit dhe e ndikimit të tekstit në marrësin.
Në qenësi, kjo poezi është gërmim dhe zbulim i shpirtit të njeriut, sidomos atij të dashuruar, që është pushtuar dhe tundet nga fuqia magjike e dashurisë për femrën. Është e njohur se në marrëdhëniet shoqërore dhe njerëzore diçka që i përket njërit, është dhe brenda tjetrit dhe anasjelltas. E kur njihet një person, në të njëjtën kohë njihet në një masë edhe tjetri. Njohja dhe zbulimi i ndërsjellë është veprim i rëndësishëm, prandaj kjo poezi jo vetëm të futë në thellësitë e gjallimit dhe të misterit të dashurisë, po natyrshëm bëhet pjesë e përsiatjeve dhe e shpirtit të atij që e lexon.
Në këtë poezi e përkohshmja në dashuri e përligj të përjetshmen, siç ndodh që e përjetshmja zë fill, pra lind (bëhet) nga konkretja, e përkohshmja. Së këndejmi, poezia e dashurisë është sa reale, aq përfytyruese dhe ëndërruese, ku të shprehurit poetik ngjizet sidomos brenda realitetit të ëndrrës, që nuk u nënshtrohen parimeve të veprimeve në jetën e përditshme. Pikërisht realiteti i veçantë dhe i ndërliqshëm i shprehur përmes artit të fjalës e bën këtë poezi të qenësishme dhe i jep përmasën e gjithtëkohëshme.
Duke i pasur parasysh këto vlera, them pa ngurim se dy vëllimet poetike të librit HYJNORJA IME JE TI të Sabit Rrustemit, që sapo doli në dritë përmes Shtëpisë botuese “Faik Konica”, pasuron dhe ngrit më tej poezinë tonë.