DYLON

Dy variantet e një poezie – VASHA E ERËS

Dy variantet e një poezie – VASHA E ERËS
Avatar photo Redaksia

Dy variantet e një poezie …

/Sabit Rrustemi/

VASHA E ERËS II

EkoHigjiena

Një puhi e lehtë e ëmbël
fletëzave të një mëngjesi
ia shprushi atë floknajë motesh
që i vareshin mbi fytyrë

Vasha prej puhisë u tremb
e u fsheh poreve të dashurisë

Mali zemërndezur me shpirtin zjarr
nuk la shteg pa ecur
as Lis pa pyetur

Vashën e përpiu pappritur toka
honeve të pafundshme të shpirtit
e nuk u pa më

Mali trazoi shkamb e gurë
flatrave të shqiponjës sa kepin kaptoi
si furtunë u lëshua luginave
midis reve shkreptiu pastaj
moteve nëpër stuhi

Bjeshka u zhvesh prej blerimit
e mbeti asht e lëkurë
pa një kokërr dhe

Fusha përgjatë rrënzave
ia ruajti shpresën
po Vasha nuk u shfaq kund
e Mali s’pushoi së kërkuari

Ag e terr përditë Bjeshkës së Thatë
ndrydh e shtrydh veten deri në palcë
sa dhe zemra e gurit nis e pikon

Diku bunoi një krua
pastaj një përrockë
e nuk mungoi as lumi

Thellësive të padukshem
thonë u krijuan dhe liqej

Po Vasha përmes krahëve të erës
strukej nëpër pore të Bjeshkës

Malin e kaploi një dhimbje e madhe
së brendshmi e dogj flakë
sa mallkoi Bjeshkët anembanë
e motet që kohojnë mbi to

U dogj, thonë, nga dashuria për Vashën
deri në hi
e askush më nuk e pa

Vetëm dalldia e mallit kur e trandë
i tërë hiri ringjall të tijën frymë
e gjëmon
me themel e shkund Bjeshkën
e çdo gjë të gjallë

E nuk ndalet, thonë,
derisa ajo Vashë Ere
mallin e shpirtit t’ia shuajë

(1 maj 2020 )

VASHA E ERËS III

Një puhi e lehtë e ëmbël
fletëzave të një mëngjesi
ia shprushi atë floknajë motesh
që i vareshin mbi fytyrë
ëndrrës së panxënshme të Malit

Prej puhisë u tremb Vasha
nga droja se po rrëmbehej prej Erës
poreve të dashurisë u fsheh

Mali zemërndezur me shpirtin zjarr
nuk la shteg pa ecur
as Lis pa pyetur
kah shkoi ku mbet

Vashën e përpiu papritur toka
honeve të pafundme të shpirtit
e nuk u pa më

Mali trazoi shkëmb e gurë
flatrave të shqiponjës sa kepin kaptoi
si furtunë u lëshua luginave
e u ngrit përmes reve shkreptiu
moteve nëpër stuhi

Mijëvejtshave të shkuara
Bjeshka u shkrumbua prej vetëtimash
zjarresh e vërshimesh
derisa u zhvesh e tëra
asht e lëkurë mbeti
pa një kokërr dhé

Përfundi saj
një fushë e re gjerë e gjatë iu krijua
sa për t’ia zgjatur jetën
e për t’ia ruajtur shpresën
po Vasha nuk u shfaq kund
e Mali s’pushoi të rend pas Saj

Ag e terr përditë Asaj Ane të Nemur
ndrydh e shtrydh veten deri në palcë
sa dhe zemra e gurit nis e pikon

Diku bunoi një krua
një përroskë pastaj lindi
e nuk mungoi as lumi

Thellësive të padukshme
ku depërton sall uji
thonë dhe liqene u krijuan
ku në qetësinë e plotë të Natës
lahet Vasha e shkreh flokët
dhe ëndrra të reja përpush
e zhduket prapë
përmes krahëve të erës
poreve të fshehta të Bjeshkës

Mali kaplohet prej dhimbjeve
zjarrmive të pamatshme digjet flakë
e shpirti nuk i del
pa e strukur në gjirin e tij atë Vashë

Moteve që kohojnë në këto dhera
nga dashuria për Vashën
thonë të jetë djegur deri në hi
e të jetë ringjallur në Shpend

Sa herë dalldia e erërave
shkund Bjeshkën
Ai Shpend
përmes flatrash rrahë furtunat
mes dredhash të papara zhytet
atë Vashë
për ta nxjerrë prej kthetrave
që nuk e lë për të vdekur
as edhe njëherë

(2 maj 2020)

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.