DYLON

Dy minutat e Gjilanit!

Avatar photo Redaksia

(2L ONLINE) – Fitore për t’u këndellur. Skuadra e Gjilanit ka lënë prapa humbjen në derbi ndaj Llapit ndërkohë ka fituar një derbi tjetër ndaj Fushë Kosovës dhe atë për dy minuta.

Të besuarit e Musa Selimit ia kanë dalë të mposhtin fushë kosovarët në ndeshjen derbi të javës së tetë të Ligës së Parë. Një fitore që vjen vetëm pas minutës së 60-të, pasi deri në atë kohë skuadra vendase ishte në disavantazh por këtë rikthim e sheh mjaft pozitiv trajneri i skuadrës së Gjilani, Musa Selimi.

EkoHigjiena

‘’Kemi hyrë në këtë ndeshje pa pesë futbollistë titullar. Mungesa e Filonit Shaqiri, Ylber Kastrati, Zgjim Mustafa, Lirian Ferati e Shqipdon Ademi është mjaft e madhe për këtë klub. Kemi hasur në një kundërshtarë mjaft të fortë që diti ta menagjojë mirë pjesën e parë, mandej dështimi i penaltisë dhe rasteve tjera na pamundësoi të merrnim më lehtë frymë. Këto përmbysje që po na përcjellin nga fillimi i kampionatit po na e mbajnë gjallë shpresat për rikthim në elitë’’, përfundoi Selimi.

Disavantazhi dhe penaltia e huqur

Ndeshja nisi mjaft mirë me vendasit në rast për të rrezikuar, mirëpo goditja e Maliqit u bllokua nga Kida që evitoj më të keqen. Shumë shpejt gjërat do të ktheheshin në bumerang. Një harkim të Burim Shalës në gol e ka kthyer Muhabi Bushi që përvidhet më së miri brenda zonës së vendasve dhe shënon për epërsinë e udhëtuesve.

Gjilani do të kishte mundësi menjëherë ta barazonte rezultatin, por mundësinë e artë e lëshoi nga dora Besart Morina. Penaltinë e fituar nga Ilir Blakçorri nuk ia doli ta konkretizojë Morina duke gjuajtur drejt në portierin Statovci që tregohet shpëtimtar për skuadrën e tij.

Në disavantazh djelmoshat gjilanas i vizituan dhomat e zhveshjes, ndërkohë pjesa e dytë pritej me padurim.

Rikthim për dy minuta

Edhe njëherë vendasit do të gjendeshin në vështirësi deri sa Krasniqi i mysafirëve gjuan për mrekulli drejt portës por intervenimi i Malokut ishte edhe më i mrekullueshëm. Kur po zhvillohej minuta e 60-të e ndeshjes, vendasit fitojnë edhe një penalti, ishte sërish Blakçorri që u pengua brenda zonës dhe gjyqtari Kastrati për të dyten herë në ndeshje tregon për në pikën e bardhë. Kësaj rradhe përgjegjësinë për të gjuajtur e merr Vllaznim Jashari që nuk gabon nga 11metërshi për ta barazuar rezultatin.

Ende pa e rahatuar mirë, Gjilani shënon edhe njëherë. Një pasim i mirë i Sermaxhajt përfundon te Blakçorri që arrinë ta mposhtë Statovcin për herë të dytë në ndeshje dhe për ti sjellë epërsinë Gjilanit ani pse para dy minutave e pa veten në disavantazh.

Minutat e mbetur të ndeshjes ishin ankth për vendasit megjithse mysafirët nuk krijuan ndonjë mundësi për tu veçuar. Kështu Gjilani arrijnë deri te fitorja e gjashtë këtë edicion që e mbanë atë në pozitën e tretë me 19 pikë të tubuara, ndërkohë për Fushë Kosovën është kjo disfata e katërt me radhë dhe me 13 pikë mban pozitën e tetë në klasifikim.

Për trajnerin e Fushë Kosovës, Astrit Ajeti rezultati nuk ishte aspak real dhe se atë e ndikoi gjyqtari i ndeshjes.

‘’Nëse vazhdojm më këso referimi, futbolli i Kosovës vetëm mprapa do të shkojë. Ne po mundohemin të punojmë për të mirën e sportit, por siç duket këta njerëz po na e humbin edhe mundin. Vendimet kontraverse si dhe akordimi i dy penaltive na demoralizun si ekip. Nuk di çfarë të shtoj tjetër pos të uroj Gjilanin për këtë fitore’’, përfundoi Ajeti.

Gjilani – Fushë Kosova 2:1

Stadiumi i Qytetit në Gjilan
Shikues: 250
Gjyqtarë: Visar Kastrati, Nexhmedin Bala, Nuhi Hysenaj
KV: Emini, Kosumi, Blakçorri, Ibërdemaj – Statovci, Beqiri, Mjeku, Bushi, F.Krasniqi, V.Krasniqi
Shënues: Jashari (pen) 60’, Blakçorri 61’ – Bushi 24’

Gjilani: Maloku, Hyseni, Arifi, Emini, Sermaxhaj, Kosumi, Ramadani (Ibërdemaj), Maliqi, Morina (Xhymshiti), Jashari, Blakçorri (Marovci).
Fushë Kosova: Statovci, Kida, Beqiri, Mjeku, Demaj (Breznica), Pllana, Shabani (Jashanica), Shala, Bushi (Dumoni), F.Krasniqi, V.Krasniqi.

/Drilon SYLEJMANI / 2L ONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.