(2LONLINE) – Lidhori ‘që’ është më popullori dhe më i vjetri ndër lidhorët e shqipes. Sipas mendimit më të mbështetur, ai është burimor dhe prandaj përbën pjesë të çmuar të identitetit shqiptar. Për shkak të veçorive leksikore e gramatikore që kanë lidhorët e shqipes, shkalla e zotërimit të tyre del të jetë treguesi më i qartë për shkallën e zotërimit të frymës së shqipes.
Është për t’u ndjerë keq kur dëgjon e lexon nga gjyqtarë, prokurorë, avokatë e zyrtarë policie të përdorin, thuajse në çdo paraqitje të tyre, ndërtime fjalish, nga të cilat do të krijoje përshtypjen se shqipja nuk ka fare lidhorë, ata thonë si për ta dëshmuar profesionalizmin: ‘ …. dhe i njëjti…’ … dhe të njëjtit…’.
Megjithatë, në këtë punim nuk kemi për qëllim të parë të vëmë në pah vlera të përgjithshme të lidhorit ‘që’ dhe as të merremi me aspekte të zbatimit të normës.
Punimi, në mënyrë ballësore, hedh dritë për dy funksione sintaksore të lidhorit ‘që’. Për funksionin e gjymtyrës emërore të kallëzuesit emëror dhe për funksionin e përcaktorit kallëzuesor, të cilat funksione nuk i janë vënë re më parë këtij lidhori. Këto funksione nuk i janë përmendur në gramatikat e shqipes, as në tekstet e tjera normative, as në studimet gjuhësore për lidhorët dhe as në shkrime të karakterit të kulturës së gjuhës, ku lidhorët të kenë qenë objekt shqyrtimi.
Me funksionin e gjymtyrës emërore të kallëzuesit emëror dhe me funksionin e përcaktorit kallëzuesor e kemi parë të dalë, siç do ta dëshmojmë, në gjuhën e shkruar dhe në gjuhën e folur dhe, çfarë kemi vërejtur karakteristike për lidhorin ‘që’ kur kryen këto funksione, nuk është i këmbyeshëm me lidhorin ‘i cili’.
Dëshmitë që jepen më poshtë në këtë shkrim e që provojnë se lidhori ‘që’ përdoret në gjuhën e gjallë, në të shkruar e në të folur, në funksionin e gjymtyrës emërore të kallëzuesit emëror dhe në funksionin e përcaktorit kallëzuesor dhe vërejtja se ai në këto funksione nuk mund të zëvendësohet me lidhorin ‘i cili’; mjaftojnë si argumente që norma t’ia njohë dhe ta përligjë lidhorin ‘që’ në këto funksione. Prandaj, kërkojmë nga Këshilli Ndërakademik që, në mbledhjen e radhës që u kushtohet çështjeve sintaksore, ta trajtojë edhe këtë çështje. Gjithashtu, me përmbajtjen e re që sjell ky punim, kërkojmë që të plotësohen krerët përkatës të ‘ Gramatikës së Akademisë së Shqipërisë”, në të cilët shpjegohet se me ç’lloje përemrash shprehet pjesa emërore e kallëzuesit emëror dhe kallëzuesori.
Veç funksioneve të kryefjalës dhe të kundrinorit të drejtë, të cilat ia përligj norma, lidhori ‘që’, në gjuhën e shkruar dhe në gjuhën e folur, kryen edhe këto funksione: kundrinor i zhdrejtë pa parafjalë, ndërtim parafjalor dhe me vlerë të lokucionit përemëror ”gjë që” (ose të lidhorit ”çka” a të ndërtimit “dhe kjo”), po këto funksione i janë vërejtur prej kohësh dhe ndaj tyre norma, sidoqoftë 1 , ka marrë qëndrim: nuk i ka përligjur:
“…..si bualli që ia kanë hequr zgjedhën…..”
“…..E sikur Allahu të mos i zbrapste disa të tjerë, do të rrënoheshin manastiret,kisha, havrat (sinagogat) e edhe xhamitë që në to përmendet shumë emri i Allahut…..”
“Nga kuptimi i parë i kësaj fjale nuk duhet për t’u larguar, vetëm nëse faktet dhe provat e tjera në tekstin origjinal atë e kërkojnë, që në rastin konkret nuk është prezentë”
Në funksionin e një ndërtimi parafjalor, lidhori ‘që’ është lehtësisht i zëvendësueshëm me lidhorin ‘ i cili’ dhe që të mos e përligjë në këtë funksion norma, ka ndikuar parimi i logjikëzimit të gjuhës. Që kur ka nisur të zhvillohet në shqipen mendimi sintaksor, ka nisur të shquhet më shumë prirja e zëvendësimit të lidhorit ‘që’ në këtë funksion me lidhorin ‘ i cili’. Përdorimin e lidhorit ‘që’ në funksion të një ndërtimi parafjalor, pa e teorizuar, e kritikonte Faik Konica.
Kurse, për funksionin e kundrinorit të zhdrejtë pa parafjalë të lidhorit ‘që’, kujtojmë që norma duhet të ndryshojë qëndrimin: duhet ta përligjë lidhorin ‘që’ në funksionin e kundrinorit të zhdrejtë pa parafjalë, sepse përdorimi i tij në këtë funksion, veçqë ka mbështetje në gjuhën e gjallë, në të shkruar e në të folur, nuk i bie ndesh logjikës së gjuhës dhe zëvendësimi i tij me lidhorin ‘i cili’ në mjaft raste po ndjehet i dhunshëm, jonatyror. Shumë shkrimtarë, prej tyre Ismail Kadare, vazhdojnë ta përdorin me të madhe lidhorin ‘që’ në funksionin e kundrinorit të zhdrejtë pa parafjalë.
Përemri lidhor ‘që”, siç nuk e shënojnë gramatikat e shqipes, mund t’i takojë një fjalie të varur të shkallës së dytë ndaj fjalisë kryesore me të cilën realizon lidhjen lidhori ‘që’, si në rastin:
“Na ishte një çupë, që, ku shkelte, bëhej lëndinë, që, kur qeshte, derdhte trëndafila, që, kur qante, nxirrte margaritarë”.
T’i kthehemi thelbit të këtij shkrimi!
Funksionet me të cilat del lidhori “që” e të cilat nuk i janë vënë re, janë funksioni i gjymtyrës emërore të kallëzuesit emëror dhe funksioni i përcaktorit kallëzuesor.
Ç’janë funksioni i gjymtyrës emërore të kallëzuesit emëror dhe funksioni i përcaktorit kallëzuesor?
Kallëzuesi emëror formohet prej dy pjesësh, prej këpujës dherej gjymtyrës emërore. Të dyja këto pjesë formojnë një të tërë të vetme, ku kuptimi gramatikor dhe kuptimi leksikor shprehen prej dy fjalësh vërtet të ndryshme, po të lidhura ngushtë midis tyre.
Në funksionin e gjymtyrës emërore të kallëzuesit emëror mund të jetë një emër, një përemër, një mbiemër, një paskajore, një togfjalësh, që shprehin përmbajtjen leksikore të kallëzuesit emëror:
Shqipëria është vend i bukur. Rinia është pranvera e jetës. Është për të të ardhur keq niveli i arsimit në Kosovë…
Karakteristika kryesore e gjymtyrës emërore është përshtatja e saj me kryefjalën
Ndërkaq, përcaktor kallëzuesor është gjymtyra e dytë e fjalisë me lidhje dyanësore që vihet në marrëdhënie rrethanore me foljen në funksionin e kallëzuesit ( ose të një gjymtyre të dytë) dhe në marrëdhënie përcaktore me një emër a përemër kryesisht në funksionin e kryefjalës ose të kundrinës:
Dy zogj fluturuan të trembur.
Nga kallëzuesi emëror dallohet në këtë pikë, që, folja jam, duke pasur një kuptim abstrakt, është shndërruar pak a shumë në një tregues të mënyrës, të kohës dhe të vetës. Si këpujë, ajo nuk mund të funksionojë si gjymtyrë fjalie jashtë lidhjes me një fjalë tjetër, emër ose mbiemër. Përkundrazi, të gjitha foljet që pranojnë përcaktor kallëzuesor, kanë kuptim të plotë leksikor, gjë që lejon që ato të trajtohen si gjymtyrë fjalie, si kallëzues.
Ja shembujt me të cilët provohet që lidhori ‘që’ kryen funksionin e gjymtyrës emërore të kallëzuesit emëror dhe funksionin e përcaktorit kallëzuesor:
“Ne duam vetëm të tërheqim vëmendjen e përdoruesit të këtij fjalori që aty është dhënë fjala sinonimike shtyllë, të cilën ai, si njohës i shqipes që është, duhet ta përdorë jo vetëm siç duhet, por sipas rastit, edhe të shoqëruar ose jo me ndonjë fjalë tjetër karakterizuese, të cilën ia kërkojnë rrethanat ligjërimore përkatëse”.
“Këndej ka shkuar dhe kodifikimi gjuhësor shqiptar, duke arritur atë që është gjuhë standarde, a gjuhë e njësuar që i thonë të tjerët”.
“Shkova e i thashë se çka kisha ndie e më bashin sytë dhe ai si realist e besëtytës që ishte më tha…”
“Këtu shohim përpjekjen, insistimin e rrëfimit [poetit] që njeriu të mos mbetet si koncept, si emër kuptimi që shpesh e gjejmë, gjatë gjithë historisë, vetëm në botën e fjalës së pavlerë që nuk thotë asgjë, sepse nuk është adekuate me qenien njerëzore”.
Zgjodhëm për faktimin e funksioneve në fjalë pikërisht gjuhën e autorëve të cituar, raporti i standardit me gjuhën e të cilëve është i natyrave ndër më të ndryshme, që të dëshmojmë se lidhori “që”, dalë me këto funksione, ka një përdorim jo të rrallë dhe në mbarë shqipen.
Nga një nga analizë jona në librin “LULET E VERËS”, na doli se lidhori “që” ka kryer të dy funksionet: funksionin e gjymtyrës emërore të kallëzuesit emëror një herë në parathënien e Sh.Bradës dhe funksionin e përcaktorit kallëzuesor një herë në vetë gjuhën e Naimit:
“Naimi si lirik i ëmbël që ishte, ka ditur….”
“Edhe Sulltanit të mirë, Mbretit t’madh q’e kemi atë….”
Është për t’u theksuar se janë këto dy funksione të vetmet që mund t’i kryejë lidhori “që” e që nuk mund t’i kryejë lidhori “i cili”. Kur kryen këto funksione, lidhori “që”, herë mund të ndërkëmbehet me ndonjë fjalë me vlerë përmendëse (anaforike) si fjalëza “siç” e herë është i pandërkëmbyeshëm. Këtu qëndron arsyeja, siç përmendëm më herët, pse duhet të përligjet në këto funksione./2lonline/
/Ilmi REXHEPI, mësimdhënës i gjuhës arabe në medresenë e Gjilanit/
Fusnotat:
MENELLA TOTONI: FRAZA ME FJALË MBËSHTETËSE ANALITIKE PËREMËRORE, STUDIME FILOLOGJIKE 1-2,Tiranë 2000
Rexhep Qosja: VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË, Prishtinë 1998, fq. 106.
DITURIA ISLAME, nr.164 Mars 2004, BALLINA.
Emin BEHRAMI: QASJE STUDIMORE RRETH KATËR PËRKTHIMEVE TË KURANIT NË GJUHËN SHQIPE, Prishtinë 1997, fq. 56.
DRITËRO AGOLLI: TRËNDAFILI NË GOTË,Tiranë 1978, fq. 63.
ALIDHRIMO,PARATHËNIA,Tiranë,2002,FJALOR SINONIMIK I GJUHËS SHQIPE, ALI DHRIMO, EDMOND TUPJA, ESHREF YMERI.
SABRI HAMITI, Pejë 1996, LETRA SHQIPE, fq. 41.
MARTIN CAMAJ, Pejë 2000, LIRIKA, MAGJI NË INSTITUTIN E GJUHËVE INDO-EVROPIANE, fq. 655.
IBRAHIM RUGOVA, PARATHËNIE, POEZI, ALI PODRIMJA, Prizren, fq. 5. Pa vit botimi.
LULET E VERËS, Prishtinë 2002, NAIM FRASHËRI, fq. 6.
LULET E VERËS, Prishtinë 2002, NAIM FRASHËRI, fq. 60.