Dy befasitë politike të vitit të kaluar!

Dy befasitë politike të vitit të kaluar!

Një konferencë për gazetarë e cila u mbajt verën e kaluar në presidencën e Kosovës nga Hashim Thaçi së bashku me përfaqësuesit politik të Luginës së Preshevës ishte befasi e vërtetë për shumëkënd. Gjatë kësaj konference, presidenti e bëri të ditur se ishte pro një marrëveshjeje me Serbinë e cila do të rezultonte me bashkëngjitjen e Luginës me Republikën e Kosovës.

Shkruan: Arsim KASTRATI

Ai asnjëherë nuk tregoi se çfarë kompromisesh do të bënte Kosova në kuadër të marrëveshjes e cila sipas tij, pos bashkëngjitjes së Luginës nënkuptonte edhe njohjen nga Serbia dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Askush me të drejtë nuk besoi se Kosova do të merrte territor nga Serbia pa dhënë fare nga territori i saj, dhe ndaj kësaj pasuan shumë hamendësime dhe shumë kundërshtime të forta, si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës.

Habia ime me ndryshimin e kahjes së bisedimeve me Serbinë, nga marrëveshja gjithëpërfshirëse me asociacionin e komunave me shumicë serbe në kuadrin e saj, në drejtim të marrëveshjes me shkëmbime territoriale, është tejkaluar deri diku nga shpjegimet sipas të cilave asociacioni i paraparë me marrëveshjen e vitit 2013, të cilën nuk e deshën as politikanët e Kosovës e as ata të Serbisë, faktikisht u hodh poshtë nga kuvendarët dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Edhe pse aspiratat territoriale dhe bashkimet kombëtare kanë qenë dhe janë tema të parapëlqyera të nacionalistëve, dhe planet për rivendosje të kufirit serbo-shqiptar datojnë dekada më përpara, ky ndryshim kursi në bisedimet kosovaro-serbe paraqiste një diskontinuitet dhe një kthesë jo pak dramatike.

Vitin e kaluar gjatë një emisioni debatues në një nga televizionet e Shqipërisë, kryeministri Rama i thotë një gazetari televiziv : “të jesh më i kujdesshëm ndaj qytetarëve të Kosovës, sepse së shpejti do të jetojmë në një shtet të përbashkët!”.

Ky mesazh i kryeministrit shqiptar u dha në vazhdën e debatit zhurmëmadh, rreth bisedimeve të Kosovës me Serbinë, që mbizotëroi të gjitha debatet tjera politike vitin e kaluar në Kosovë.

Në mesin e pak intelektualëve dhe politikanëve të cilët guxuan të dalin pro një marrëveshjeje eventuale me Serbinë e cila nënkuptonte edhe shkëmbime territoriale, kam pritur të radhitet edhe Albin Kurti.

Kjo për faktin se nga një numër politikanësh dhe analistësh besohej se me një marrëveshje të tillë eventuale, Kosovës përveç njohjes nga Serbia i hapej rruga për anëtarësim në OKB dhe pas një kohe të shkurtër edhe për bashkim me Shqipërinë.

Duke e ditur diskursin shumëvjeçar të Albin Kurtit dhe LVV-së për bashkimin kombëtar, kam pritur që ai dhe partia e tij do të jenë pro një marrëveshjeje të tillë të mundshme.

Verën e kaluar pra patëm mundësi ti shohim dy politikanët e sotëm kryesor të Kosovës duke e ndryshuar kursin e tyre politik karshi bashkimit dhe bisedimeve. Njëri që deri atëherë zyrtarisht nuk e përmendte bashkimin kombëtar, papritmas filloi të fliste për të, ndërsa ai që tërë kohën fliste për bashkim, papritmas filloi të bëhej kosovocentrik!

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE