Duka: Ndarja nga futbolli kosovar i ka kushtuar Shqipërisë

Duka: Ndarja nga futbolli kosovar i ka kushtuar Shqipërisë

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në një intervistë të gjatë me gazetarin e SuperSport, Ylli Aga, ka folur në detaje për Shqipërinë dhe sezonin e Kombëtares shqiptare, derisa ka folur edhe për Kombëtaren e Kosovës dhe sa janë dëmtuar ata pas pranimit të Kosovës në UEFA

Duka ka thënë se Shqipëria duhet të bëj edhe më mirë në eliminatore të Europianit, derisa ka thënë se tifozet e kanë ‘braktisur’ Kombëtaren shqiptare gjatë këtij sezoni.

Ndërsa i pyetur për Kosovën dhe paraqitjet e saj, Duka ka pasur fjalë të mira, duke thënë se janë ekip i mobilizuar, kanë trajner të mirë dhe gjithkund në Kosovë jo vetëm në fushë ka entuziasëm.

“Kam parë ndeshjen me Bullgarinë dhe atë me Malin e Zi, i kam ndjekur në SuperSport. Kanë qenë ndeshje të interpretuara shumë mirë, me mobilizim dhe atmosferë pozitive. Rezultatet nuk janë të rastësishme. Është një ekip i përgatitur mirë, ka një trajner shumë të mirë dhe është shumë e rëndësishme që ka një atmosferë shumë pozitive rreth ekipit dhe gjithkund në Kosovë. Atmosfera rreth ekipit kombëtar te ne nuk ka qenë shumë e mirë kohët e fundit, jo vetëm në shkallët e stadiumit, por në përgjithësi. Kur shkuan në Europian nuk kishim ku t’i akomodonim VIP-at dhe politikanët, kurse sot asnjë nuk na vjen në stadium. Një ekip modest ka nevojë për mbështetje maksimale dhe atmosferë pozitive nga të gjithë.”

Sipas Dukës, ndarja nga Kosova i ka kushtuar Shqipërsë po aq sa do i kushtonte Spanjës ndarja nga Katalonia.

“Patjetër, sepse nëse do të ishim më shumë, do të kishim më shumë alternativa. Disa nga kualitetet e Kosovës mbase do të ishin pjesë e Shqipërisë, por ky është një fakt dhe nuk mund të merremi më të analizojmë apo ta ç’bëjmë. Ne duhet të mësohemi dhe të jetojmë me këtë realitet dhe të ndërtojmë dy skuadra kompetitive.

Edhe Katalunja po të ndahej nga Spanja, ndoshta do ta vuante “La Roja” Patjetër, Pique do të luante me Katalunjën”, ka thënë Duka.

KOMENTE