/Deri dje synohej për mbrojtjen e tërësisë së tokave shqiptare, sot duhet të synohet bashkimi i popullit të ndarë/
/2L ONLINE/ – Po jetojmë në një kohë historike kur vendoset për fatin e këtij trolli, të çlirohet apo të mos çlirohet?!
Gjendemi në udhëkryq historik: ta kemi fatin e rëndë të gjertanishëm, apo të kemi fat më të mirë.
Brezat e sotëm janë të tendosur mendërisht, fizikisht dhe moralisht: po përpiqen që ta ndërrojnë gjendjen e trashëguar aq të hidhur.
Çështja shqiptare është ndërkombëtarizuar, por nuk guxojmë të harrojmë se ndërkombëtarizimi nuk është bërë drejt.
Brezat e sotëm po bëjnë shumë, por kush e sheh realisht gjendjen në të cilën jemi.
Po jetojmë në kohën kur në hapësirat e perandorive të fundit në kontinentin evropian po krijohen shtete të reja kombëtare.
Ngjarjet ecin me një ritëm të shpejtuar, por nuk munden të mos vërehen se ne ecim me vonesa, me turr dhe improvizime, kurse para institucioneve dhe forumeve ndërkombëtare dalim si grup etnik e jo si Komb.
Çështjen shqiptare nuk e kemi shtruar si çështje të pozitës së Kombit shqiptar në tërësi, në Ballkan, prej zgjidhjes të së cilës varet se do të ketë, a jo rend drejtësie, humanizmi dhe paqe në Ballkan.
Është një kohë, ku si pasojë e shpërbërjes së Jugosllavisë titiste, bëhet rikomponimi politik dhe shtetëror i Ballkanit,e neve krijimi i shteteve të reja kombëtare në hapësirën e ish Jugosllavisë titiste, na zë pa e vendosur se çka duhet të kërkojmë.
Po krijohet një rend i ri botëror, i cili i ka disa parime të cilave u përmbahet, e ne nuk e dimë qartë se cili mund të jetë vendi ynë në atë rend.
Vendoset për ardhmërinë e gjysmës së Kombit shqiptar, e kjo më në fund, domethënë për ardhmërinë e krejt Kombit shqiptar.
Ne, megjithatë, ballafaqohemi me disa vështirësi të brendshme në jetën politike dhe morale me të cilat janë ballafaquar edhe paraardhësit tanë.
Ne jemi i vetmi Komb në kontinentin evropian, që mbi gjysma e popullit dhe territorit është nën sovranitet të huaj.
Në qoftë se deri dje synohej për mbrojtjen e tërësisë së tokave shqiptare, sot duhet të synohet bashkimi i popullit të ndarë.
Kjo është një rrugë e drejtë, drejt idealit shtetëror, domethënë drejt bashkimit, për popullin shqiptar më në fund është rrugë drejt mundësisë, që të jetë i barabartë me popujt e tjerë ballkanikë dhe evropianë, është rrugë drejt përparimit, mirëqenies dhe lumturisë.
E them kështu sepse duke synuar barazinë e popullit shqiptar me popujt e tjerë ballkanikë, synohet rend e drejtësi, humanizëm e paqe në Ballkan./2L ONLINE/