Duhet të dalim të gjithë në protestë në mbrojtje të luftës së pastër të UÇK-së dhe të çlirimtarëve tanë!
Shkruan: Arlind Vokshi
Më 7 gusht, në ora 17:00, në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, qytetarët e Kosovës, ish-ushtarët, familjarët e dëshmorëve dhe të gjithë ata që besojnë në drejtësi, duhet të bashkohen në një zë të vetëm, mjaft më me padrejtësi!
Përmes kësaj proteste, ne nuk po kërkojmë mëshirë po kërkojmë drejtësi. Po kërkojmë të vërtetën. Po mbrojmë nderin dhe gjakun e atyre që e sollën lirinë në këtë vend. Po ngremë zërin për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, figura kyçe të çlirimit të Kosovës – të cilët po mbahen padrejtësisht në paraburgim nga një gjykatë që po shkel mbi çdo standard të drejtësisë ndërkombëtare.
Një gjykatë që ka humbur besimin e popullit
Gjykata Speciale, që u themelua për të ofruar drejtësi, po shndërrohet në një instrument të drejtësisë së njëanshme. Përmes dëshmitarëve të përgatitur, dosjeve të fabrikuara nga shërbimet sekrete serbe dhe një procesi që shpesh i ngjan më shumë një skenari politik se sa një procedure ligjore, kjo gjykatë po i dëmton rëndë jo vetëm individët, por edhe vetë themelet e shtetësisë së Kosovës.
Lufta e UÇK-së ka qenë e pastër dhe e drejtë
Lufta jonë çlirimtare nuk ka nevojë për justifikime. Ajo është dëshmuar para botës përmes gjakut të dëshmorëve, dhimbjes së familjeve, sakrificës së popullit dhe përkrahjes së aleatëve tanë ndërkombëtarë.
Sot, kur po tentohet të shkruhet një histori tjetër një histori që synon ta barazojë agresorin me viktimën qëndrimi ynë duhet të jetë më i fortë se kurrë: NE NUK HARROJMË, NE NUK HESHTIM!
Koha për veprim është tani!
Të gjithë ata që e duan Kosovën, që besojnë në drejtësi dhe që nuk e pranojnë deformimin e historisë, duhet të jenë në Prishtinë më 7 gusht, ora 17:00. Ky nuk është thjesht një tubim është thirrje për ndërgjegje, për unitet, për mbrojtje të dinjitetit kombëtar.
Protesta gjithëpopullore
Sheshi “Skënderbeu”, Prishtinë
E mërkurë, 7 Gusht 2025, ora 17:00
Organizuar nga kategoritë e dala nga lufta e lavdishme e UÇK-së
