(2L ONLINE) – Ligji për duhanin ka kohë që për Gjilanin është vetëm diçka që është e shkruar në një copë letër, derisa paralajmërimet për ndalesë së pirjes së duhanit, që janë të vendosura në shumë vende të mbyllura publike, si në restorante, kafene, a lokale tjera… janë si duket vetëm për dekor.
Kjo çështje, thotë ta ketë shqetësuar Fehmi Sylejmanin, anëtar i Kuvendit Komunal nga Gjilani, nga radhët e Vetëvendosjes, i cili për 2L ONLINE, thotë të ketë ngritur këtë çështje edhe në Kuvend por se do të ngris sërish, sepse një ligj i tillë nuk po respektohet dhe se janë dy rrugë ose të merren masa nga institucionet përkatëse për ta zbatuar atë ose le të bëhet “legalizimi” i pirjes së duhanit për të gjithë njësojë.
Ai tha se edhe në Kuvend ka kërkuar që ky ligj që edhe ashtu nuk po përfillet, të lihet fare dhe “të legalizohet”, ose të vihen në punë mekanizmat përkatëse që e mundësojnë zbatueshmërinë, ose ndëshkimin e atyre që nuk e respektojnë ligjin dhe se kjo të vlejë për të gjithë njësojë.
‘Vetëm për ilustrim po e përmendi dhe mbase mund te jete një “diskriminim”, sepse shumë restorante dhe kafiteri të njohura kanë bërë investime të mëdha për ta respektuar Ligjin për pirje të duhanit, kurse në anën tjetër kemi kafiteri apo restorante të cilat fare nuk kane investuar dhe tash të gjitha palët janë të barabarta dhe në këtë mënyrë po iu hyjmë në hak atyre që kanë bërë investime”, thotë Sylejmani.
Përndryshe, nuk të duhet mund i madh, e as i atyre që duhet përkujdesur që ky ligj të respektohet, që të shihet se si është puna në Gjilan, ku fatkeqësisht kemi edhe figura publike, përkatësisht ata që duhet të jenë shembull për të tjerët se si respektohet ky ligj, e që në fakt bëhen shembull për të keq.
“Kam vërejtje jashtëzakonisht për qendrat e mëdha tregtare në Gjilan, nëpër të cilat fare nuk përfillet Ligji për duhanin dhe kërkoj një seriozitet më të madh nga organet përkatëse për këtë dukuri negative”, thotë Fehmi Sylejmani i Lëvizjes Vetëvendosje. /2L ONLINE/