Zv/kryeministri dhe ministri i Pushtetit Lokal, Slobodan Petroviq, njëherësh kryetar i Partisë Liberale Serbe, pretendon se kishte një marrëveshje xhentëlmene me liderët e partive shqiptare për vazhdimin e ulëseve të rezervuara në Kuvend edhe për dy mandate tjera.
Kjo marrëveshje, sipas tij, ishte arritur në kohën e përmbylljes së mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, kur edhe ishin bërë ndryshimet e nevojshme kushtetuese.
Ndër këto ndryshime, ishte edhe dispozita për përmbylljen e mandateve të ulëseve të rezervuara. Ai sqaron se asokohe kishte edhe një marrëveshje të pashkruar, xhentëlmene me lidershipin shqiptar për të vazhduar me këto vendet e rezervuara për të gjitha komunitetet pakicë edhe për dy mandate tjera, shkruan ”Tribuna”.
Tani kur po afrohet koha e zgjedhjeve, vazhdimi i ulëseve të rezervuara është bërë gati i pamundur për shkak se kërkon ndryshime kushtetuese. Refuzimet e LDK-së dhe Vetëvendosjes e kanë bërë të pamundur që këto ndryshime kushtetuese të ndodhin. Por, Petroviq ende nuk i ka humbur krejt shpresat. Ai i rikujton liderët shqiptarë për dakordimet e mëhershme që i kishin në takimet, ku ai thotë se kishte edhe ndërkombëtarë.