(2L ONLINE) – Drejtoria e Shërbimeve Publike, Infrastrukturës dhe Banimit me kompaninë kontraktuese kanë bërë hapjen e rrugëve në të gjitha fshatrat e Gjilanit, duke përfshirë zonat më të thella malore të Karadaket, Zhegocit dhe malësisë së Pogragjës.
Kështu thuhet në një komunikatë të komunës së Gjilanit. Por, Vehid ibrahimi, përfaqësues i fshatit Muqibabë, fshat ky në brezin kufitar, ka thënë për portalin 2L ONLINE, se Muqibaba, disa mëhalla të saj vazhdojnë të jenë të bllokuar nga bora, ndërsa, deri në këto momente, nga komuna ende nuk ka dal askush për të ndërmarrë ndonjë veprim për të hapur rrugë dhe mundësuar lëvizje të lirë.
Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike (DSHP), Sokol Haziri, i shoqëruar edhe me zyrtarë të tjerë të kësaj drejtorie kanë përcjell nga afër hapjen e rrugëve në malësinë e Karadakut, duke potencuar se gjatë ditës së sotme të gjitha rrugët edhe nëpër fshatrat tjera do të jenë të kalueshme.
“Jemi në pjesën e malësisë së Karadakut, ndërsa në të njëjtën kohë është duke u bërë hapja e rrugëve në malësinë e Zhegocit, dhe në disa fshatra të Pogragjës, por gjatë ditës së sotme të gjitha rrugët do të jenë të kalueshme edhe në këto zona. Prioritet gjatë ditës së djeshme ka qenë hapja e rrugëve në zonat më të banuara. Ne ndjehemi keq që edhe përkundër gatishmërisë nga ana e Komunës së Gjilanit për të intervenuar me urgjencë në gjithë hapësirën e Komunës, kapacitetet operative të kompanive të kontraktuara për largimin e borës janë larg asaj që ne duam e që dinamika nuk është as për së afërmi në atë që ne kemi pritur. Me vendosmëri po punojmë që të gjitha zonat të kenë rrugën të hapur dhe presim një efikasitet sepse të gjithë qytetarët kanë nevojë për qasje në rrugë dhe lirshmëri në lëvizje”, tha Haziri.
Ndryshe në pjesët më të thella malore dhe pikat më të larta, edhe trashësia e borës është më e madhe dhe vështirësitë në qarkullim shkaktohen edhe nga largimi i banorëve me familjet e tyre drejt qytetit.
Në anën tjetër, Vehid Ibrahimi përfaqësues i fshatit Muqibabë, thotë se ndodhet tani ne Gjilan dhe do të bëjë përpjekje për të kontaktuar me zyrtarë komunal, por se sipas tij, deri para një ore, askush nuk ka dalë lartë për të ndërmarrë diçka drejt lirimit të rrugëve, dhe se Muqibaba, disa mëhalla të saj, vazhdojnë të jenë të bllokuara nga trashësia e borës e cila ka rënë këto ditë.
Ai kishte thënë se qysh të shtunën më 7 mars, kur e kishte pare se nga trashësia e bores po bllokohen rrugët, kishte adresuar disa mesazhe telefonike në adresa të caktuara të zyrtarëve të institucioneve në Gjilan, por nuk kishte marrë përgjigjje.
Ai tha të ketë dëgjuar sot se zyrtarët komunal kanë thenë se janë në terren për të zhbllokuar rrugë dhe prêt që këtë ta bëjnë edhe në Muqibabë. /2L ONLINE/