DSHP: Jemi të vendosur për eliminimin e transportuesve ilegal të udhëtarëve dhe mallrave
/2L ONLINE/ – Drejtoria e Shërbimeve Publike, Infrastrukturës dhe banimit, respektivisht sektorin e inspeksionit të komunikacionit dhe në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, janë në kujdestari të vazhdueshme për eliminimin e komunikacionit ilegal të transportuesve të udhëtarëve dhe mallrave.
Me këtë rast drejtori i kësaj drejtorie, Sokol Haziri, ka thënë se ky sektor është duke vazhduar me punë së bashku me Policinë e Kosovës për parandalimin e ilegalitetit në komunikacion në gjithë hapësirën e Komunës së Gjilanit.
“Jemi duke vazhduar me punë për eliminimin e ilegalitetit në komunikacion, në mbështetje edhe nga Policia e Kosovës në Gjilan, me të vetmin qëllim mbrojtjen e qytetarëve, por edhe në mbrojtje të transportuesve të përgjegjshëm dhe legal të cilët operojnë në hapësirën e komunës. Qëllim yni është ndalimi i tërësishëm i këtij aktiviteti jo ligjor dhe futja në binar të këtyre transportuesve në respektim të ligjit në përgjithësi”, ka potencuar Haziri.
Statistikat për muajin e fundit janë dinamike, por Haziri ka thënë se me këmbëngulje do të punohet edhe në ditët në vijim deri në vënien e rendit dhe rregullit në komunikacion, në përgjegjësinë që ka kjo drejtori.
“Gjatë muajit të fundit kanë ndodhur 327 inspektime, ku prej tyre janë larguar 15 taksi nga komunikacioni, 15 padi kundërvajtëse dhe 79 procesverbale të cilat do të dërgohen në gjykatë për trajtim të këtij niveli”, ka thënë Haziri.
Ai ka apeluar tek të gjithë qytetarët që të kenë konsideratë dhe të ndihmojnë në këtë drejtim në vënien e rendit dhe rregullit në komunikacion, sikur që i ka informuar të gjithë se në rast se ndodh që inspektorët të hasin në ndonjë transportues ilegal të udhëtarëve, taksi apo edhe tjetër, mund të mbeten në gjysmë të rrugës, sepse mjetet e tilla do të largohen nga komunikacioni.
Ndryshe, inspektime të tilla janë të vazhdueshme me qëllim të kontrollimit të transportuesve të udhëtarëve dhe mallrave në komunikacion. /2L ONLINE/
