DSHMS: Me ngjyrat e zemrës dhe ëndrrat tona, së bashku pikturojmë Gjilanin që duam!
Më rastin e 10 tetorit, Ditës Botërore të Shëndetit Mendor, Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Gjilan, shënoi këtë ditë përmes një aktiviteti të veçantë me fëmijët me nevoja të veçanta, të cilët përmes ngjyrave, kreativitetit dhe imagjinatës shprehën botën e tyre të bukur.
Mimoza Kadriu Qerimi drejtoreshë e Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, në Komunën e Gjilanit thsa se përmes këtij aktiviteti, përcollën mesazhin se shëndeti mendor është pjesë e pandashme e mirëqenies sonë dhe se kujdesi, pranimi, mbështetja dhe gjithëpërfshirja janë thelbësore për zhvillimin dhe mirëqenien e çdo fëmije.
“Çdo ngjyrë e hedhur në telajo ishte një mesazh dashurie, shprese dhe besimi. Sepse çdo fëmijë ka talentin, ëndrrat dhe potencialin e tij, të cilat meritojnë të shihen, të vlerësohen dhe të mbështeten”, ka thënë drjetoresha e DSHMS-së.
Ajo ka falënderuar OJQ-në “Miqësia”, drejtorin e shkollës se Artit Pamor në Gjilan, Roland Masurica dhe nxënësit e kësaj shkolle për bashkëpunimin, përkushtimin dhe kontributin e tyre në realizimin e këtij aktiviteti domethënës.
“Le të ndërtojmë së bashku një shoqëri ku flasim lirshëm për shëndetin mendor, ku respektojmë dallimet dhe ku secili ndihet i pranuar, i vlerësuar dhe i përfshirë. Misioni ynë: barazi, gjithëpërfshirje dhe mirëqenie për të gjithë”, ka thënë drejtoresha e DSHMS-së, Mimoza Kadriu Qerimi. /2LONLINE/
