DSHMS e Gjilani jep sqarimin e saj lidhur me shërbimin ambulantor në Kishnapolë
“Dëshiroj të sqaroj opinionin publik lidhur me njoftimin për shërbimin ambulantor në Kishnapolë, pasi janë krijuar keqkuptime rreth përmbajtjes së tij. Fillimisht, nuk bëhet fjalë për vendim të mbylljes së ambulancës, por për ndërprerje të përkohshme të shërbimit ambulantor deri në rekrutimin e stafit të ri. Aktualisht jemi në përgatitje të konkursit për rekrutimin e personelit, i cili pritet të shpallet këto ditë”, ka sqaruar Mimoza Kadriu Qerimi drejtoreshë e Drejtorisë për Shëdnetësi dhe Mirëqenie Sociale (DSHMS), në Komunën e Gjilanit.
Sipas saj, gjatë kësaj periudhe, në njoftimin e publikuar janë bërë të ditur numrat kontaktues të shërbimit të patronazhit dhe të urgjencës, në mënyrë që qytetarët të vazhdojnë të kenë qasje në shërbimet shëndetësore. Prandaj, nuk është e vërtetë se në Kishnapolë nuk ofrohet asnjë shërbim shëndetësor.
Gjithashtu, bazuar në rekomandimin e Komitetit për Cilësi në kuadër të QKMF-së dhe analizën e raporteve të shërbimeve për periudhën gjashtëmujore, është konstatuar se në këtë ambulantë ka pasur numër shumë të ulët të shërbimeve të ofruara.
Drejtoresha e DSHMS-së ka sqaruar se duke marrë parasysh këtë situatë dhe nevojën për organizim më efikas të shërbimeve, është vlerësuar që, deri në rekrutimin e stafit të ri, personeli të angazhohet në QKMF, veçanërisht në prag të sezonit të gripit, kur nevoja për shërbime shëndetësore dhe përkujdesje ndaj qytetarëve është më e madhe.
“DSHMS dhe QKMF mbeten të përkushtuara për ofrimin e shërbimeve shëndetësore cilësore, të qasshme dhe në interes të qytetarëve. Ky është një organizim i përkohshëm i shërbimeve dhe jo vendim për mbylljen e ambulancës në Kishnapolë”, thuhet në sqarimin që ka dhënë drejtoresha Mimoza Kadriu Qerimi drejtoreshë e DSHMS-së, në Komunën e Gjilanit. /2LONLINE/
