DSHMS: Bashkë për mbështetjen e grave që përballen me kancerin e gjirit
“Së bashku me drejtorin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe dy psikologet e QKMF-së, pritëm në takim përfaqësueset e OJQ-së “Renesansa”, e cila ka në fokus mbështetjen e grave që përballen me kancerin e gjirit dhe të atyre që e kanë mbijetuar këtë sëmundje”, ka thënë Mimoza Kadriu Qerimi, drejtoresha e Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Gjilanit.
Ajo bëri me dije se gjatë takimit diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit, adresimin e nevojave dhe kërkesave të tyre, si dhe për mënyrat se si mund të përmirësojmë qasjen në shërbimet shëndetësore dhe mbështetjen psikologjike.
“Si Drejtori e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, u zotuam se do t’i vëmë në dispozicion të gjitha kapacitetet që kemi në kuadër të kompetencave dhe shërbimeve që ofron QKMF-ja, me qëllim që gratë që përballen me këtë sëmundje, si dhe ato që e kanë mbijetuar atë, të marrin kujdesin, mbështetjen dhe shërbimet e nevojshme”, ka thënë Mimoza Kadriu Qerimi.
Drejtoresha e DSHMS-së tha se beson se bashkëpunimi institucional me organizatat që janë pranë këtyre grave është thelbësor për të ndërtuar shërbime më të qasshme, më cilësore dhe më të ndjeshme ndaj nevojave të tyre, sepse përtej trajtimit mjekësor, çdo grua ka nevojë për mbështetje, mirëkuptim dhe shpresë. /2LONLINE/
