(2L ONLINE) Skuadra e Dritës është rikthyer duarboshë nga Gjakova pasi ka pësuar minimalisht ndaj Vëllaznimit, (1:0). Ndeshja e zhvilluar në kuadër të xhiros së 13-të të Raiffiesen Superligës, prodhoi shumë raste në të dyja anët, por në fund u vendos falë një goli të bukur nga Luigj Buqaj në minutën e 15-të.
Nuk ka mjaftuar vetëm paraqitje e mirë që futbollistët e Dritës të merrnin diç më shumë nga përballja ndaj Vëllaznimit. Madje gjilanasit janë dorëzuara para golit të Luigj Buqajt duke pësuar kështu humbjen e shtatë këtë edicion e cila është më e hidhura deri më tani pasi zhvendos skuadrën bardh e kaltër në fundin e tabelës.
Ndeshja
Dy skuadrat kishin presionin e fitores mbi super, por gjakovarët ishte barrë më e rëndë pasi kishin javë pa fituar sidomos para publikut vendas. Por, shumë shpejt do të qetësohej publiku gjakovar pasi Luigj Buqaj me një goditje nga 20 metra realizon një super gol për ti dhënë epërsinë Vëllaznimit dhe festën ‘’Kuq e zinjëve të Jakovës’’.
Përkundër golit të pësuar skuadra që tani po drejtohet nga Afrim Shahini nuk u dorëzua dhe filloi ta kërkonte menjëherë golin e barazimit.
Në minutën e 21-të, Florim Berisha goditi nga rreth 18 metra mirëpo gardiani i dytë i Vëllaznimit, Hikmet Berisha, fluturoi për ta mbajtur rrjetën të paprekur.
Në të 33-tën, Almedin Murati u gjend bukur në zonë por një tjetër intervenim i mirë i Bajramit e shpëtoi Vëllaznimin. Minutat kalonin dhe gjilanasit shtonin presionin. Dominimin në terren pati rast ta konkretizojë Florim Berisha i cili doli në pozitë ballore, por goditja e tij përfundoi jashtë stadiumit duke lejuar kështu që rezultati i minutës së 15-të i vendosur nga Buqaj të mbetet në fuqi.
Shtylla ia mohon golin Kelmendit
Në pjesën e dytë, Drita hyri më kërkuese dhe rrezikoi seriozisht disa herë portën e gjakovarëve mirëpo rastin më të mirë e për ta bërë një gjë të tillë e pati, zëvendësuesi Shqiprim Kelmendi (71’), kur pas një solo-aksioni goditi bukur por golin ia mohoi traversa, duke lënë të shtangur mbi 1.500 të pranishëm. Gjilanasit tentonin kryesisht nga krahët por nuk ishin të fuqishëm që të krijojnë raste të mira. E mundësi ideale për ta vulosur fatin takimit lëshoi Nikollë Dushi në minutën e fundit por goditja e tij teksa po shkonte drejt rrjetës, u bllokua na mbrojtësit mysafirë. Kështu edhe përfundon ndeshja me epërsinë minimale të Vëllaznimit që ngritet në pozitën e 8 në tabelë falë 16 pikëve të tubuara ndërkohë Drita që javën e ardhshme i bën ‘’konak’’ Trepçës zhvendoset në fundin e tabelës me vetëm 12 sosh.
Vëllaznimi – Drita 1:0 (1:0)
Stadiumi i Qytetit në Gjakovë
Shikues: Mbi 1500
Shënues: Luigj Buqaj (15’)
Gjyqtarë: N.Raci, B.Selimaj, V.Kelmendi, L.Hasani
KV: Yll Myrta, Jasiqi, Zeka – Baxhuku, Sermaxhaj
Vëllaznimi
Bajrami, Yll Myrta, Gjeraj, Buqaj (Kusari), Jasiqi, Kasapi, Dylazeka, Ylb. Myrta,Zeka(Rudi), Bushaj (Vokshi),Dushi. Genc Hoxha, trajner i Vëllaznimit
Drita
Huruglica,Haliti, Syla, Tusuni, Baxhuku, Rexhepi (Kelmendi), Murati, Sermaxhaj (Ajdari), Limani, Berisha, Gashi (Sejdiu). Afrim Shahini, trajner i Dritës
/Drilon SYLEJMANI /2L ONLINE/
/fotoarkivi/