Dritë lirie nëpër vargje

Dritë lirie nëpër vargje

Krijimtaria letrare, në këtë pjesë të etnitetit tonë, siç po quhet padrejtësisht Lugina e Preshevës, ka filluar që herët. Krijuesit letrarë të këtij rajoni gjatë gjithë kohës , prej kur u shkrua vjersha e parë letrare, në vitin 1939, “Larg duart” nga Ali Aliu-Kelmendi e deri te veprat më të reja, të botuara në vazhdimësi, shënuan rritën e vet, në kapjen e vlerave që i posedon një letërsi, e cila në brendinë e saj, jo vetëm që krijoi traditë, por u ngjit në rezidencën e sukseseve me të gjitha gjinitë letrare të spikatura me një mbrujtje fantstike, me një patos të zjarrtë, e cila në vazhdimësi frymëzon dhe krijon mburrje me të arrirat e saja.

Shkruan: Hysen Këqiku

Në mesin e shumë krijuesve imagjinativë të Luginës së Preshevës bënë pjesë edhe Avni Shaqiri, me krijimtarinë e tij letrare, të cilën e filloi që në vitin 1999 fillimisht me poezi për të rritur “Fjollë kujtimi” për të ecur përpara me veprat e tjera si “Gjeli karatist”-poezi për fëmijë e botuar në vitin 2003, “Dy bibana e flokëgjati”, poezi për fëmijë e botuar në vitin 2015, pastaj librin “Evropë zeza” e cila përbëhet me dy poema, “Plagë mbi plagë”, poezi për të rritur , 2015, “Të fala nga Gerajt” poezi për të rritur, 2018, “Dhelpra në banketin e pulave” me poezi për fëmijë 2018, “Evropë bardha me njolla të zeza”, përmbledhje poemash e botuar më 2018 dhe vepra e rradhës “Dritë lirie nëpër vargje”, e cila në 260 faqet e saja ka 29 poema kushtuar 29 dëshmorëve të luftës së UÇPMB-së me forcat ushtarake dhe palamirlitare të Serbizezës.

Që në fillim duhet theksuar se kjo vepër, kjo përpjekje entuziaste e Avniut, është vepra më serioze me të cilën ka shprehur gjithë konsideratën, përkrahjen, mburrjen, krenarinë e tij, për veprën sublime të pjesëtarëve të ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Bujanocë e Medvegjë. Për trimërinë dhe heroizmin e këtyre ushtarëve trima, kanë shkruar edhe krijuesit e tjerë gjithandej. Vlenë të përmendet libri i Halim Hasanit “Yjet e lirisë” me biografitë e dëshmorëve të njejtë, e botuar në vitin 2010, pastaj edhe krijuesit e tjerë me poezi përkushtimore, kanë shpaluar ndjenjat subjektive për pranimin dhe shpërfaqjen e tërë përkushtimit heroik të të gjtihë luftëtarëve e posaçërisht për ata që dhanë jetën në pikat luftarake dhe gjithandej ku krisi pushka e trimërisë, me të cilën i dualën zot tokës, ku që nga lashtësitë historike bukës i thuhej “bukë e ujit ujë”.

Për dallim nga veprat dhe përkushtimet e tjera dedikuar luftëtarëve dhe të rënëve në altarin e lirisë, vepra e Avniut dallon në aspektin e llojit letrar se kjo ëshë vepër me karakteristika të veçanta ku gërrshetohet edhe ndjenjat subjektive dhe ato objektive, duke bërë përpjekje që të ketë indin rrëfimtar tëstolislur me bukuri letrare dhe artistike i thënë dhe i ngjeshur me figura poetike për ta kompletuar shpërfaqjen dhe ndjenjën jo vetëm të tijën por edhe atë e cila do të reflektojë tek lexuesit.

Autori i librit, Avni Shaqiri, i përcjell heronjtë e vet që nga lindja e deri në ditën e fundit të jetës së tyre reale. Me imagjinatën krijuese, ai sikur i përcjell hap pas hapi që nga dita kur lindin dhe, shtëpitë, prindërit, mëhallat e fshatërat mbushen me gëzim. Ata bëhen fëmijë të mirë, fëmijë të dëshirës dhe shkallë – shkallë rriten bashkë me gëzimet.

Si fëmijë të dëshirës, si nxënës të shkëlqyeshëm dhe mbi të gjitha edhe si krah i sigurtë, në të cilët prindërit kishin besimin e madh në ta: /Djali i mirë ,/ta ruan farën/e kur të rritet/nga supet tona/e lehtëson barrën. (faqe 52)/

Porse, ata i brente një hall,

Nuk ishin të kënaqur se nuk ishin të lirë,

nuk ishin të kënaqur se nuk ishin të barabartë në asnjë pore jete me të tjerët.

Ata e dinin se diçka duhej bërë.

Ata e dinin se kërkohej sfidë,

kërkohej sakfrificë,

kërkohej flijim për të qenë të lirë.

Heronjtë e përkushtimeve të Avniut janë të mveshur me tipare të shumëta njrëzore, humanitare e mbi të gjitha atdhetare.

Avni Shaqiri nuk largohet nga traditat heroike e popullit shqiptar, Ai ato i vë në plan të parë, jo vetëm kaq por, me vargje të zgjedhura ua jep nderin që në fillim të poezisë. Tradita edhe sot vazhdon që kur në familje lind djalë gëzimi dhe mburrja janë të theksuara se “atdheut po i shtohet një ushtar, një pushkë më shumë. Ose kur nusja zbret nga qerrja me të cilën ka shkuar te burri, ia vejnë tre plisa në kokë, me forcimin e dëshirës që ajo t’i lind tre djem, tre trima, tre ushtarë.

“Gëzim të madh

Kaplon familjen,

Me dëshirë

Për jetë të gjatë

Iu bëfsh nënës

Zog shqiponje

Në djep nëna

i bën urtë” (faqe 42)

Me këtë, Avniu e ka gjetur mënyrën adekuate, me të cilën, i jepet mundësia që ta shtrojë gjerë e gjerë lëmën e shprehjes së ndjenjave, mundësinë e pakufishme të shprehjes së objektivitetit dhe ndjenjave të brendshme, gjë e cila nuk i mungon kësaj vepre, që me 29 poemtha e krijon një poemë të gjatë, ku ka shtruar dhe ka kapur elemente, ngjarje, dromca jete, si nga tradita po ashtu edhe nga aspekti momental i shtrirjes së ngjarjeve, ku akterë të tyre janë jo vetëm, të rënët për liri por, edhe rrethi i gjerë familjarë e shoqëror i trimave që sot me ta krenohemi për të bëmat heroike të tyre sepse ata dhe vetëm ata, na e kthyen dinjitetin dhe krenarinë e humbur.

Luftërat për liri, të popullit tonë kanë shënuar shembuj të shumtë heroizmi, jo vetëm të burrave por edhe të grave, nuseve e motrave.

Nënat trime e kanë nxjerrë me dhunë djalin nga shtëpia që të shkojë në luftë, aty ku luftohej për liri. Shumë nëna kanë marrë pjesë krahë për krah me burrin dhe djalin e saj në luftë. Ato i kanë furnizuar me municion, u kanë afruar ujë për të pirë dhe ua kanë lidhë plagët e marra në fronte lufte burrave, e djemëve e vajzave të tyre. Ato kanë luftuar edhe me armë ngjeshur ballë për ballë me armiqë të shumtë gjatë gjithë historië sonë të lavdishme…

Avni Shaqiri ka gjetur mundësinë në atë mënyrë që pa e tepruar me rrëfim të tregojë dromca jete për heronjtë. Gjejmë rrëfime në mënyrë poetike për fëmijërinë e tyre, për rritën, shkollimin edhe për zejet që ata ushtronin, me punim druri, me pikëturë e veprimtari të tjera. Kulminacioni i shtrirjes emocionale të vargjeve, te ky autor, e arrinë tek rënia heroike e heronjëve jo si qyqarë duke ikur po fytafyt me armikun. Asnjë i rënë nuk ka marrë plumb në shpinë por në pjesën e përparme të trupit.

Me 26 mars, në Caravajkë

Njaziu në prag të beharit

E kap plumbi në krahëror

Bie trimi në fushë të nderit

Nga vitia me armë në dorë

Në Preshevë ra dëshmorë” (faqe 17)

Armiku nuk zhvillonte luftë vetëm frontale por edhe speciale, duke gjetur kolaboracionistë që i ndihmonin në forma të ndryshme,

Pa e peshuar turpin që e bënin ,

Pa e menduar dëmin që i shkaktonin kauzës për liri.

Disa nga të rënët u vranë nga dora tradhëtare

Mbi të cilët do të bie nëma e nënave dhe e popullit,

Nëma e gjakut të derdhur për liri.

Pjesëtarët e UÇPMB-ës kishin prindër, vëllezër motra, gra e fëmijë, farefis por, asnjërit nuk iu bë shkak që të mos shkojë në luftë për liri. Këtu, në këtë pjesë të shkëputur të kombit, zbritën shqiponjat, nga të gjitha vendet, me vendosmërinë titanike, iu përgjigjën kushtrimit për t’i dale zot lirisë e vendit të tyre, duke e detyruar armikun që të ulet në tavolinën e bisedave, me premtimin se do t’u realizohen kërkesat dhe… cili është epilogu i të gjitha atyre marëveshjeve të arrira, të premtuara apo vetëm të thëna…mbase të gjithë e dijmë…

Autori Avni Shaqiri, librin e përfundon me një epilog letrar në faqet e librit, të sendërtuar me vargje ngazëllyese që reflektojnë shkëlqyeshëm qëllimin dhe svidën e luftëtarëve për liri.

Kjo poemë, kushtuar 29 heronjëve , 29 trimave, 29 shpirta të ngritur lapidarë në historinë tonë më të re, u realizua falë përkushtimit të të tij të vendosur Ky autorë e mori për sipër realizimin e një vepre me shpirtin e tij krijues. Kjo është një sfidë e tij të cilës ia doli me sukses.

Autori dhe autorët e librave nuk e kanë të lehtë punën e tyre të krijimtarisë. Edhe puna e tyre duhet adhuruar dhe ndihmuar. Askush të mos mendojë se shkrimtarët janë të lumtur.

Ata janë të ngarkuar me emocione të shumëta sepse të shkruash është punë me përgjegjësi.

Në shumë vende Avniu shpreh brengën se ndoshta nuk do të kam force apo aftësi për të gjetë shprehje që i përgjigjet situates dhe dashurisë së tij për ta thënë atë që duhet, atë që e përmush qëllimin e tij. Për këtë angazhohen edhe redaktorë e recenzentë.

Shkrimtari francez Francis Kombes i qaset kësaj sfide, sipas të cilit puna e redaktorit është:

Të lexojë dorëshkrimet

Të korrigjojë gabime

Të bëj gabime të tjera

……..

Ah sa e bukur qenka jeta

Jeta e poetit

Të rroj me zgrip”

Të gjitha janë të mundshme, siç janë të gjitha rrugët me lakesa…

Por megjithatë Avni Shaqiri, me latën e tij poetike, skaliti 29 personalitete , 29 heroizma, 29 shembuj që rriten e rritën në mburrjen tonë e të gjeneratave që do të vijnë se… për të qenë e për të jetuar dinjitetshëm, duhet edhe të luftohet kur na cenohet liria e atdheu.

Përfundim:

Përmbledhja me poezi – poema përkushtimore “Dritë lirie nëpër vargje” është një dekoratë e autorit, dhuruar 29 dëshmorëve të lirisë, është një përkushtim, me të cilin shpreh krenarinë për trimat e qenddresës, është një shtrëngim dore e përzemërsie për të gjithë ata që jeta e tyre iu dhurua kësaj toke dardane, e cila na mban të ngrohtë e vendosmërisht pranë saj.

Autori Avni Shaqiri gjeti një frymëzim sublim në veprën e qëndresës heroike të dëshmorëve të rënë në altarin e lirisë. Ai me nota reale, patriotike dhe elegjiake, shpërfaqi ndjenjën e adhurimit dhe të krenarisë që pati kush t’i tregojë armikut se kjo tokë ka bijë e bija që i dalin zot si dje, si sot si në të ardhmen.

KOMENTE