Drita vazhdon me fitore, trajnerët mohojnë kurdisjen

Drita vazhdon me fitore, trajnerët mohojnë kurdisjen

Kf.Drita ka shënuar fitore të rëndësishme në luftën drejt titullit, duke mposhtur Kf.Llapin 1:3 në Podujevë.

Në xhiron e 28-të, Kf.Drita dhe Kf.Llapi konsiderohej derbi i kësaj jave, prandaj lojë dinamike në fushë e ‘zjarri’ në tribina e karakterizuan këtë takim.

Vendasit kaluan në epërsi të parët me anë të Mirlind Daku në minutën e 7’, ndërsa shifrat i barazoi Kastriot Rexha 39’ i Dritës. Me rezultat të barabartë përfundoi kjo pjesëlojë.

E atmosferë pati edhe në tribina nga tifozët e Llapit “Legjendat” dhe “Intelektualët” e Dritës, të cilët edhe kësaj radhe kishin udhëtuar në numër të madh për të përkrahur klubin.

Në pjesën e dytë, golat e fitores për Dritën i shënoi sërish Kastriot Rexha për hetrik në minutat 63’ 70’.

Kf. Drita aktualisht gjendet në vendin e parë në tabelë me 56 pikë të tubuara.

Me këtë fitore Drita vazhdon me fitoren e gjashtë me radhë në gjashtë xhirot e fundit në Vala Superligën e Kosovës. Kjo ishte edhe ndeshja 24-të pa humbje.

Përndryshe, sot gjate ditës në portale u publikuan pamje gjoja të një bisede në Viber mes udhëheqësve të klubit Drita për gjoja kurdisje të ndeshjes.

Këto shkrime u hodhën poshtë menjëherë përmes komunikatës së klubit Drita, si të pavërteta, për çka u tha se me to do të merren organet e drejtësisë dhe se rezultatet e deritanishme të Dritës janë fal punës dhe angazhimit të lojtarëve.

Një gjë të tillë e mohuan edhe të dy trajnerët e klubeve pas lojës.

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina u betua në fëmijët e tij se ndeshja nuk ka qenë kurdisje.

“Betohem publikisht, në katër fëmijë dhe familje, që unë nuk kam shitur dhe as nuk kam blerë lojë, as sot, as kurrë. Prandaj, me këtë çështje duhet të merret prokuroria”, ka thënë Batatina.

Ndërsa, trajneri i Dritës, Bekim Isufi, rreth këtyre spekulimeve tha se rreth tyre do të punon grupi i krijuar brenda klubit.

“Ata që i kanë përhapur këto duhet të përballen me drejtësinë, ne veç kemi krijuar një grup brenda klubit i cili do të merret me këtë rast, nuk do t’i lejojmë që të dëmtohet imazhi jonë familja dhe profesional”, ka pohuar Isufi.

/Elife Sherifi/

KOMENTE