Në kuadër të javës së 27-të. të BKT Superligës së Kosovës në futboll, skuadra gjilanase Drita ka shënuar fitore në ballafaqim me Ulpianën, ndeshje e luajtur në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan.
Drita ka shënuar qysh në fillim të ndeshjes ku Muharrem Jasharit (5’), prishi rezultatin e bardhë dhe kaloi në epërsi skuadrën bardh e kaltër.
Por, në minutën e 20-të të takimit, vendësit barazuan shifrat përmes Ermir Rezit, për të ndryshuar sërish rezultati në minutën e 25-të, ku Drita sërish kaloi në avantazh përmes Marko Simonovskit që e riktheu epërsinë e Dritës.
Pak para përfundimit të pjesës së parë, Ulpiana arriti edhe njëherë ta barazojë rezultatin përmes Akil Makollit (44’) që shënoi për 2:2.
Në pjesën e dytë, në minutën e 59-të, sërish Marko Simonovski i Dritës shënoi dhe i dha fitore Dritës, pasi që rezultati 2 me 3 doli të jetë edhe rezultat përfundimtar i këtij takimi.
Për momentin Drita kalon në pozitën e dytë të tabelës së klasifikimit, me 49 pikë nga 27 ndeshje, por edhe lideri Ballkani (54 pikë) edhe Gjilani (49 pikë) në pozitën e tretë, kanë nga një lojë më pak, e që në fakt është ballafaqim i javës së 27-të, mes këtyre dy skuadrave që luhet të dielën në Gjilan. /2LONLINE/