Ndeshja e mbetur e javës së tretë, që u luajt sot në mes të Dritës dhe Ballkanit, i ka takuar kësaj të parës, e cila me rezultat 2 – 1, e ka mposhtur liderin aktual, duke i mbajtur kështu shpresat akoma për të qenë në lojë për objektivin që ka skuadra gjilanase, titullin e kampionit.
Ishte një pjesë e parë ku dominoi Drita dhe një pjesë e dytë e balancuar, dhe në fund epilogu final ishte rezultati i pjesës së parë (2:1). Golat i shënuan: Jashanica për Ballkanin (6’) dhe Baftiu (29’) e Krasniqi (44’) për Dritën.
Vlen të theksohet se ishin mysafirët që kaluan në epërsi, por se djelmoshat e Dritës treguan karakter duke e përmbysur rezultatin edhe atë, qysh në 45 minutat e para. Në pjesëlojën e dytë rrjetat “heshtën”.
Tani, Drita ka 34 pikë, derisa Ballkani ndodhet në krye me 39, por edhe me një lojë më pak, të cilën lojë po ashtu e ka kundër një skuadre gjilanase (SC Gjilani).
Kjo fitore e Dritës u jep atyre motiv për të vazhduar tutje në lojërat tjera të kampionatit, në drejtim të rezultateve pozitive, me shpresën e shkrirjes dalëngadalë të epërsisë në pikë që ka Ballkani, deri në tejkalim të saj dhe kurorëzim me titull, synim i skuadre gjilanase. Gjithsesi kjo mbetet të shihet pas pushimit pasi për Dritën ka përfunduar stinorit vjeshtor. Kujtojmë se ndeshja e fundit (në tërësi) e sezonit vjeshtor në Superligë, zhvillohet të dielën mes Gjilanit dhe Ballkanit /2LONLINE/