Klubi i futbollit Drita nga Gjilani ka regjistruar fitoren e dytë në këtë edicion duke e mundur Malishevën (2:1).
Skuadra bardh e kaltër që drejtohet nga Zekirija Ramadani ka qenë dominuese dhe me të drejt i takoi fitorja ndaj një skuadre si Malisheva, e cilësuar si skuadre e fortë, pasi në katër xhirot e para ajo ishte e pamposhtur, tri fitore dhe një barazim, por që sot u gjunjëzua në Gjilan, për ta regjistruar edhe humbje e parë.
Ndonëse në Superligë tani më janë luajtur pesë xhiro, për Dritën kjo ishte loja e tretë, dhe në fakt ky takim ishte ndeshje e mbetur e javës së parë, pasi skuadra gjilanase kishte angazhime në lojërat e karakterit ndërkombëtar.
Kur jemi te ndeshja e sotme, Besnik Krasniqi i Dritës ishte ai që shënoi i pari, edhe atë nga penalltia për ta krijuar epërsinë për skuadrën vendëse. Goli erdhi në minutën e 25-të të takimit.
Në pjesëlojën e dytë, të dyja skuadrat shënuan nga njëherë, Drita duke ngritur epërsinë në 2:0, përmes Veton Tushës (59”), dhe mysafirët duke shënuar golin e vetëm, përmes Altin Aliut (79’)
Pra epilogu final i këtij takimi, Drita – Malisheva 2:1.
Tani Drita ka gjashtë pikë, por ka dy lojë më pak të zhvilluara. /2LONLINE/