Drita shënon fitore ndaj Llapit, hapëron tutje drejt titullit
FC Drita ka shënuar fitore ndaj Llapit me rezultat 3:0, në ndeshjen e javës së 30-të të Superligës së Kosovës në Futboll. Nga këto xhiro të deritanishme Drita ka regjistruar fitoren e shtatëmbëdhjetë dhe edhe me pikët nga gjashtë barazime, ka grumbulluar 57 pikë, duke i prirë tabelës së klasifikimit dhe duke hapëruar drejt objektivit që ka, e që sërish është stolisja me titullin kampion.
Me këtë fitore, lideri Drita ruan distancën prej pesë pikësh ndaj Ballkanit që është i dyti në tabelë.
Ndonëse u mendua që do të ishte një takim i vështirë, për shkak edhe të pozitës së Llapit, që pikët e kishte shumë me rëndësi për mbijetesë, Drita e dominoi takimin dhe shënoi një fitore të merituar me rezultatin bindës, 3 me 0, me golat e shënuar nga Besnik Krasniqi (21’), Abdoul Dante (48’) dhe Veton Tusha (73’).
Përndryshe, në javën e radhës, të 31-tën me radhë, Drita e mirëpret Prishtinën, derisa skuadra tjetër gjilanase, Gjilani, që në ktë xhiro barazoi, luan kundër Malishevës. /2LONLINE/
