Drita nesër pret trepikëshin nga fitorja e parë e stinorit!
Ndeshja e mbetur e xhiros së dytë të edicionit të ri të Superligës së Kosovës në Futboll, mes klubit FC Drita dhe kundërshtarit të kësaj jave FC Drenica, do të zhvillohet nesër, e mërkure, ora 15:00 , Stadiumi te Rrethi në Gjilan.
Për këtë takim foli kryetrajneri i Dritës, Zekirija Ramadani dhe kapiteni i skuadrës, Rron Broja.
Trajneri Ramadani tha se kundërshtari është me traditë dhe rikthimi në Superligë e ka motivuar. Sipas tij do të jetë një përballje interesante.
“Gjithsesi neve na intereson objektivi jonë, por ekipi jonë dhe e din që nesër është loja e parë si vendas të edicionit dhe na ka hije me epitetin e kampionit te angazhohemi maksimalisht. Nesër objektivi ynë është trepikëshi dhe e gjithë vëmendja është në Gjilan për arsye se vetëm takimi ynë është ditën e nesërme. Duhet t’i marrim në formë të gjithë futbollistët sepse kemi shumë ndeshje përpara, dhe shpresojmë që nesër ta fillojmë me tre pikëshin e parë të këtij edicioni”, tha fillimisht Ramadani.
Ai theksoi se për ta mbrojtur titullin duhet shumë djersë, angazhim dhe për këtë ka shumë besim të madh te ekipi. ”Kemi bërë shumë sakrificë dhe jam i bindur që do ja dalim”.
“Ne jemi vetëm në fillim të kampionatit ne kemi ekip që nuk ndikohemi nga një sulmues i krahut, një sulmues mesfushor apo nga ndonjë futbollist i veçantë, të gjithë futbollistët dinë të shënojnë”, potencoi trajneri Zekirija Ramadani.
Ndërsa, kapiteni i skuadrës bardh e kaltër, Rron Broja beson në rikthim dhe vazhdimësi të rezultateve pozitive.
“Besoj që nga nesër do t’i rikthehemi ritmit tonë të rezultateve dhe s’do të ndalemi më” përfundoi Broja. /2LONLINE/
