(2L ONLINE)- KF Drita ndërpreu serinë e humbjeve dhe përmes një barazimi thuajse nisi të shohë ‘’dritë’ në fund të tunelit’. Skuadra gjilanase ka arkëtuar një pikë në udhëtim te Istogu deri sa ka humbur mundësinë të kthehet me gjah të plotë nga ‘’Demush Mavraj’’.
Djelmoshat e Agron Selmanit i kanë dhë fund ecurisë së rezultateve negative, duke poentuar pas tri javëve dështimi. Përkundër se përballë vetes kishin skuadrën më në formë në elitë, bardhekaltërit u treguan skuadër mjaft serioze dhe me pak fat kanë mundur të ktheheshin në shtëpi me pikë të plota.
Gacaferi ‘’shfuqizon’’ golin e Limanit
Istogu ishte skuadër më e mirë në minutat e para të lojës dhe e kontrolloi atë në të shumtën e kohës. Por edhe përkundër kësaj “Intelektualët”, kaluan të parët në epërsi me golin e Ardian Limanit në minutën e 32-të. Mirëpo në vazhdim skuadra e trajnerit Nazmi Rama u vërsul për të barazuar rezultatin, gjë të cilën edhe e arriti. Ishte mbrojtësi Elivs Gacaferi që me golin e tij i dërgoi skuadrat në pushim me rezultat të barabart që në fund ishte edhe ai final i takimit.
Përkundër rasteve të krijuara në pjesën e dytë të lojës rrjetat e Sanel Bandiqit dhe Muhamet Huruglicës mbeten të paprekura dhe kështu skuadrat u pajtuan ti ndajnë pikët nga ky ballafaqim.
Istogu tani mbetet në pozitën e tetë me 11 pikë, ndërkohë Drita mbetet në pozitën e dhjetë me 8 sosh.
Istogu – Drita 1:1
Stadiumi i Qytetit ‘’Demush Mavraj’’ Istog
Shikues: 450
Gjyqtarë: B. Jahmurataj, A. Ejupi, M. Qehaj, H. Hajdari
Golashënues: Gacaferi 43’ – Limani 32’
/Drilon SYLEJMANI / 2L ONLINE/
Foto: KFIstogu