Drita mëson kundërshtarin e raundit të parë në Ligën e Kampionëve, ja çfarë thotë trajneri Zekirija Ramadani!
Kampioni i Kosovës, FC Drita, ka mësuar kundërshtarin e raundit të parë në Ligën e Kampionëve. Skuadra bardhë e kaltër nga Gjilani, do të ballafaqohet me kampionin e Luksemburgut, skuadrën FC Differdange 03.
Pasi u mësua kundërshtari i parë i Dritës në garat evropiane, kryetrajneri i kësaj skuadre, Zekirija Ramadani ka thënë se ishin të përgatitur për çdo kundërshtarë dhe se në këtë fazë të garave evropiane, ku përballjet do të jenë me kampionë të vendeve të ndryshme, nuk ka asnjë kundërshtar të lehtë.
“Megjithatë, ne jemi të përgatitur për këtë sfidë. E dimë që nuk do të jetë aspak e lehtë, por do ta respektojmë çdo kundërshtarë dhe kam shumë besim se me grupin që kemi, mund të arrijmë rezultate të mira. Kam besim të plotë në ekipin tim. Na mbetet të punojmë fort, të bëjmë analiza të detajuara për kundërshtarin, dhe në fund, le të flasë fusha”, ka thënë kryetrajneri i FC Drita, Zekirija Ramadani. /2LONLINE/
