Drita më e mirë se Prishtina
Kampionia aktuale FC Drita ka arritur të shënojë fitore në udhëtim ndaj skuadrës së Prishtinës, e cila deri në këtë xhiro nuk kishte pësuar humbje. Për Dritën mund të vlerësohet se kjo fitore është më se e rëndësishme drejt synimeve të larta që i ka skuadra “bardh e kaltër”, që drejtohet nga kryetrajneri Ardian Nuhiu.
Ishte futbollisti Blerim Krasniqi ai i cili shënoi në minutën e 37-të, të takimit për të zhbllokuar rezultatin, e pastaj Liridon Balaj shënon në minutën e 62-të, për rezultatin O:2, dhe futbollisti francez i Dritës, Kemehlo Nguena tund rrjetën kundërshtare, në minutën e 84-të, për rezultatin final dhe për një fitore tejet të vlefshme të Dritës ndaj një skuadre si Prishtina, edhe për faktin se është njëra ndër skuadrat që pretendon titullin e kampionit.
Ndonëse ky ballafaqim derbi ishte në kuadër të javës së 11-të të Superligës së Kosovës në Futboll, në këtë fazë të këtij stinori, këto dy skuadra nuk ishin takuar akoma, pasi ndeshja mes tyre, e javës së dytë, ishte shtyrë, për shkak të angazhimit të Dritës në garat evropiane, dhe se deri më sot akoma nuk ishte zhvilluar.
FC Drita, e dominoi ndeshjen, ka shkëlqyer në çdo aspekt duke mos i lënë asnjë gjasë Prishtinës, gjithsesi, ajo që është më e rëndësishme në futboll është epilogu i takimit dhe ndeshja e sotme i takoi “Intelektualëve”, që tani me 20 pikë ngritët në pozitën e tretë, gjithnjë duke kujtuar se ka një ndeshje më pak të zhvilluar, pikërisht kundër kundërshtarit të sotëm. /2LONLINE/
