Drita marshon sigurt drejt titullit kampion
Drita ka bërë edhe një hap tutje drejt titullit kampion, duke mundur nikoqirin Suharekën (1:2), në ndeshjen e javës së 30-të, të Superligës së Kosovës në futboll.
Me këtë fitore, Drita ka shkuar në 66 pikë, aktualisht 13 pikë më shumë se ndjekësi nga pozita e dytë, Ballkani, që ka një takim më pak, kështu mund të thuhet lirshëm se Drita po marshon sigurt drejt titullit të shumëpritur të kampionit në elitën e futbollit kosovar.
Kur jemi te dueli i sotëm, Drita ka fituar me rezultat 2:1. Ishte Rron Broja që solli skuadrën bardh e kaltër nga Gjilani në epërsi, barazoi nikoqiri me golin e shënuar nga Eneid Kodra, por Drita shënoi edhe një herë për fitore, përmes Denys Kostyshyn.
Në fakt, te goli i dytë, ishte penalti të cilën nuk e realizoi Besnik Krasniqi, por aty u gjend Kostyshyn që dërgoi topin në rrjetë.
Me këtë fitore, Drita bëri edhe një hap të madh drejt titullit të shumëpritur, dhe ndonëse matematikisht akoma jo e siguruar, megjithatë nga ecuria e deritanishme duket se intelektualët kësaj here do t’i gëzohen titullit kampion. /2LONLINE/
