Kanë përfunduar të gjitha ndeshjet e javës së tetë në Superligën e Kosovës në futboll. Nga fitorja bindëse në shtëpi përballë Vushtrrisë, Drita tani me 17 pikë kryeson kampionatin elitar.
Por, ky fakt nuk përbën entuziasëm për kryetrajnerin e skuadrës Ardian Nuhiu, i cili deklaroi se skuadra e tij mendon vetëm për ndeshjet e radhës dhe jo për renditjen tabelare.
“Kampionati është interesant. Tabela mund të lëvizë nga java në javë, por ne do të shohim vetëm përpara”, deklaroi Nuhiu.
Më pas ai u ndal të flas edhe për paraqitjen e futbollsitëve të tij në fitoren prej 5-1 në shtëpi ndaj Vushtrrisë.
Ai vlerësoi lartë paraqitjet e futbollistëve të rinj si Donat Hasanaj, Albin Krasniqi e Drilon Islami.
“Për mua të gjithë futbollistët janë njësoj. Drita ka 20 futbollistë në skuadër dhe secili është këtu sepse e meriton të jetë. Më pëlqeu mënyra se si skuadra iu qas ndeshjes nga minuta e parë. Jam i kënaqur me angazhimin dhe me performancën e futbollistëve. Futbollistët të cilët u paraqitën për herë të parë zbatuan detyrat dhe jam i kënaqur me ta. E menaxhuam mirë lojën dhe me meritë edhe e fituam atë”, deklaroi Nuhiu.