Shkruan: Fehmi SYLEJMANI
Drita arriti që pas 18 javëve të para të shpallet kampione dimri, derisa Gjilani është pozicionuar në pozitën e 6-të në tabelën e klasifikimit të Albi Mall Superliga e Kosovës në futboll.
Përderisa suksesi i skuadrës ‘bardhë e kaltër” është pritur, duke marrë për bazë organizimin dhe menaxhimin e klubit, ndërtimin e lojës, fondin e pasur të lojtarëve, performancën e shkëlqyer, skuadra tjetër gjilanase, Gjilani nuk i ka përmbush objektivat e saja të parapara në fillim të kampionatit.
Pavarësisht se Drita, ka tubuar 40 pikë , 7 më tepër se përcjellësi i parë i saj Ballkani dhe 10 me shumë se përcjellësi i dytë Malisheva, nuk duhet të vetëkënaqet me këtë arritshmëri, sepse kampionati është tejet i gjatë dhe në futboll gjithçka është e mundur. Shto kësaj, Drita, në disa ndeshje nuk ka qenë në nivelin e dëshiruar, madje ka dy disfata, njëra ndaj rivalit lokal Gjilanit. Pikërisht në derbin lokal, janë shfaq dhe vërejt disa mangësi apo lëshime, që në stinorin pranveror duhet medoemos përmirësuar.
Shtabi teknik dhe zyrtarët tjerë të Dritës janë të vetëdijshëm, se gjatë pushimit dimëror duhet analizuar mirë e saktë. Një analizë të thuktë dhe reflektuese.
Duhet identifikuar se cilat ishin ato mangësi apo defekte, që në disa ndeshje u shfaqën, ku ekipi hasi në vështirësi, ndonëse Drita, aktualisht pa asnjë hezitim ka skuadrën më të mirë në vend.
Në anën tjetër, nga Gjilani është pritur shumë më shumë , duke pas parasysh ndryshimet që ishin bërë në fillim të kampionatit.
Jo vetëm në klub, por edhe më gjerë prisnin më shumë prej lojtarëve që kishin në dispozicion, në mënyrë që rezultatet të mos ishin kaq të diskutueshme.
Gjilanin e përcolli një formë osciluese gjatë këtij gjysmë sezoni, që nga syri i jashtëm shihet i pajustifikueshëm. Në disa ndeshje, pikërisht kundër skuadrave të forta, Gjilani shfaqte karakter të lartë , e që rezultonte më pas me gjah të plotë. E kundër skuadrave “mesatare” dhe më të “dobëta” shpesh herë ka dëshpëruar jo vetëm “Skifterët”, por edhe dashamirët dhe njohësit e futbollit.
Pika më e diskutueshme në ekipin ‘bardhekuq” pa mëdyshe ishte reparti i mbrojtjes, por jo në nivelin e dëshiruar nuk kanë kaluar as mesfusha dhe sulmi.
Loja defanzive në kë të skuadër, mbase mund të jetë çelësi i suksesit apo mossuksesit. Pavarësisht përpjekjeve, lojtarët mesfushor nuk kanë arritur të kenë ritëm të duhur, kreativitetet dhe detyra mbrojtëse për të mbuluar boshllëqet e krijuara gjatë situatave të ndryshme.
Po ashtu edhe sulmi ka mundur të jetë shumë më i rrezikshëm për portat rivale, por jo sa duhet është shfrytëzuar sulmuesi korpulent Jarovic.
Tashmë është mbyllur gjysma e sezonit në futbollin kosovar dhe pas gati dymuajsh muajsh(19 shkurt nis java e 19-të), mund të bëhen disa balance edhe sa i përket ndikimit të lojtarëve të caktuar në skuadrat e tyre.
Gjilani ka nevojë për përforcime urgjente në të gjitha repartet, në se dëshiron të ngritët në tabelën e klasifikimit. Ndonëse, janari është një treg shumë i vështirë dhe mundësitë janë të pakta.
Teksa në këtë drejtim, Drita është paksa më komod, por stafi teknik dhe ai menaxherial janë të lirë dhe autonom, të marrin vendime decizive për të mirën e klubit. /2LONLINE/
(Autori është ish gazetar sportiv dhe opinionist i lirë )