(2L ONLINE) – Drita nuk ka arritur të ndezët në Skenderaj, me ç’rast ka dështuar totalisht në ndeshjen me Drenicën. Skuadra gjilanase u kthye me rrjetën plotë, pasi pranoi pesë herë nga kundërshtari deri sa efikasiteti në sulm ishte ‘’shterpë’’.
Drita ka shfaqur paraqitjen më të dobët që nga fillimi i këtij edicioni duke marrë një ‘’shuplakë’’ të fortë nga Drenica në udhëtim. Skuadra e udhëhequr nga trajneri Agron Selmani pësoi pesë gola në pjesën e dytë duke e bërë edhe më të dhimbshme disfatën pasi në fraksionin e parë të lojës qëndruan ‘’heroikisht’’ duke luajtur me shifra të bardha, (0:0).
Pjesa e parë për mësysh
Skuadra e drejtuar nga Agron Selmani e nisi lojën furishëm, duke ua bërë me dije vendësve se në Skënderaj nuk ka udhëtuar kot, por me qëllim që të arkëtojë ndonjë pikë nga ky takim. Bardhekaltrit gjilanas ishin më të rrezikshëm në këtë pjesëtojë dhe ndoshta me pak fat kanë mundur që të shkojnë në pushim me epërsi minimale, sikur t’i shfrytëzonin rastet që patën në minutën e 7-të përmes Kelmendit dhe pesë minuta më vonë, kur Sermaxhaj ishte në pozitë të mirë shënimi, por gjuajtja e tij kalon ngjitur me shtyllën pingule të portierit Sadiku. Drenica rastin e vetëm në këtë pjesë e kishte në minutën e 20-të, ku pas një kombinimi të Foniqit dhe Dajakut, ky i fundit për pak nuk dërgon në rrjetë topin e devijuar nga mbrojtja mysafire. Me rrjeta të paprekura përfundon pjesa e parë.
Fataliteti i pjesës së dytë
Pjesa e dytë ishte krejt ndryshe. Me të filluar ajo, Maxhuni shënoi golin e epërsisë, për ta ngritur atë në minutën e 66 tundi.Kurse, për rezultatin 3:0 u përkujdes mbrojtësi gjilanas Tusuni, i cili shënoi autogol. 10 minutat e fundit Drita i luajti me 10 lojtarë, pasi lojtari më i mirë i tyre Ard Limani u lëndua dhe tashmë gjilanasit kishin bërë tri ndërrime.Në minutat shtesë të takimit, Kreshnik Lushtaku shënoi edhe dy herë, për ta kompletuar “pesëshen” drenicase. /Drilon SYLEJMANI/
Drenica-Drita 5:0
Stadiumi “Bajram Aliu” në Skënderaj
Shikues: rreth 1500
Shënues: Maxhuni 48’,68’, Tusuni aut 85’, Lushtaku 90’, 92.
Gjyqtarë: A.Tahiri, I.kabashi, G.Mehmeti, K.Vula.
KV: Selimi-Haliti.
Drenica Sadiku Ibrahimi Caka Geci Bejta Syla (Sh.Lushtaku) Jetullahu (Selimi) Dajaku K.Lushtaku Maxhuni Foniqi (Mehmeti).
Drita Huruglica Syla Tusuni Haliti Baxhuku Limani Berisha Sermaxhaj (Ajdari) Kelmendi Gashi (Kastrati) Rexhepi (Sejdiu).
/Drilon SYLEJMANI/ 2L ONLINE/