(2L ONLINE)- Skuadra e Dritës ka përjetuar disfatën e tretë më radhë deri sa këtë herë zhgënjen para publikut vendas. Ishte skuadra e Hajvalisë kësaj radhe që ka gjunjëzuar gjilanasit me shifrat 2:1, duke i zhytur edhe më tej në fundin e tabelës së klasifikimit.
Edhe njëherë tjetër ishte “gardiani” protagonistë i ndeshjes. Me dy gabime fatale në portën e tij, Samir Krasniqi ia shton “hallet” trajneri të tij Agron Selmani që pas ndeshjes foli për këtë fenomen.
“Kemi bërë ndryshime në portë duke menduar se aty jemi duke çaluar, mirëpo gabimet vetëm se u përsëriten dhe ne e humbëm ndeshjen”, tha ai.
Ndërkohë i pyetur për gjetjen e një zgjidhje për të dalë nga kriza, Selmani u shpreh: “Mendoj se edhe në këtë takim ne jemi ndëshkuar padrejtësisht. Kemi merituar të paktën një pikë nga ajo që kemi treguar në terren. Mirëpo, futbollistët e mi janë të rinj dhe pa përvojë deri sa ne do të punojmë për tu përmirësuar në ndeshjet e radhës”, tha Selmani
Gabimet e portierit ndëshkojnë vendasit
Ndeshja nisi me ritëm të qetë, pa ndonjë rrezik nga dy skuadrat. Ndërkohë, me kalimin e minutave fjalën e marrin mysafirët që kontrollojnë lojën në tentim për të rrezikuar. Brenda 15 minutave të parë, mysafirëve iu takojnë dy raste shënimi, mirëpo njërën Zabërgja e tjetrën Zeneli i çuan poshtë.
Drita që vazhdon të luajë pa sulmues zone, ndërtimin e aksioneve e kishte mjaft të vështirë prandaj gjuajtjet nga distanca ishin arma e vetme e skuadrës. Spencialisti i gjuatjeve nga distanca Genc Sermaxhaj provoi të shënoj, por goditja e mesfushorit u ndal nga Avdyli duke mos lejuar befasi.
Për një të tillë u përkujdes “homologu” i tij, Samir Krasniqi që i dhuron një gol skuadrës së Hajvalisë deri sa reagon ngathët pas gjuajtjes së Tahiri duke e shtyrë topin drejt rrjetës së tij, për 0:1.
Kthesa e vonshme e Dritës
Gjysmëloja e dytë solli edhe dy gola të tjerë pasi skuadrat u hapën në lojën e tyre, mirëpo golat i shënuan vetëm pas gabimeve në repartet defensive. Kur pritej reagimi i vendasve vjen ndëshkimi i miqve. Një goditje me kokë brenda zonës e sulmuesit Fillim Guraziu pas harkimit të Fuat Karabegut ka qenë fatale për portën e vendasve që detyrohen të kapitulojnë sërish.
Përkundër golit të dytë të pranuar vendasit nuk dorëzohen. Në minutën e 68-të, Blendim Gashi përfiton nga një pakujdesi e mbrojtjes udhëtuesve dhe tund portën e Hajdinit deri sa e rihap edhe njëherë sfidën.
Përpjekjet për ta barazuar rezultatin nuk kanë dhënë frytet e duhura dhe kështu vendasit u detyruan të pajtohen me humbjen e gjashtë këtë edicion që i rrezikon ata edhe më tej në fundin e tabelës, ndërkohë që mysafirët me numër të njëjtë, mirëpo të fitoreve udhëheqin në kreun e tabelës.
Me ketë ecuri deri më tani duke mjaft i kënaqur trajneri i skuadrës së Hajvalisë, Sunaj Keqi.
“Fitorja erdhi pas angazhimit maksimal të futbollistëve të mi duke qenë kështu edhe e merituar. Ne kemi disa mundësi të mira shënimi , mirëpo i realizuam vetëm dy që mjaftuan për ta fituar ndeshjen. Goli i kundërshtarit na vështirësoj paksa punët, mirëpo arritëm ta administrojmë lojën dhe të marrim sigurtë fitoren”, përfundoi Keqi.
Drita – Hajvalia 1:2
Stadiumi i Qytetit në Gjilan
Shikues: 400
Gjyqtarë: I.Shuleta, F.Abrashi, A.Latifi, L.Hasani
Kartonë të verdhë: Tusuni, Syla, Limani, Ajdari – Hashani, Leci, Emini
Golashënues: Gashi 68’ – Tahiri 40’, Guraziu 64’
Drita: Krasniqi, Baxhuka, Tusuni, Syla, Haliti, Limani, Berisha, Sermaxhaj (Shaqiri), Kelmendi (Ajdari), Rexhepi (Kastrati), Gashi. Trajner: Agron Selmani
Hajvalia: Avdyli (Hajdini), Rafuna (Islami), Hashani, Zhjeqi, Leci, Emini, Hamiti, Karabegu, Zeneli, Guraziu, Zabërgja (Tahiri). Trajner: Sunaj Keqi