DYLON

Drita demolon Vllazninë e Pozhoranit

Avatar photo Redaksia

(2L ONLINE) – Krahas objektivit në garat kampionale, Drita , së fundi, i shton vetit apetitin duke triumfuar edhe në një ndeshje në DigitAlb Kupë. Pa ndonjë problem të madh gjilanasit kanë mposhtur Vllazninë e Pozhoranit duke e demoluar me shifra, 6:2.

Fundi i sezonit vjeshtor ka qenë i bereqetshëm për skuadrën e Dritës e cila po korrë sukses në garat e Kupës. Karakteristikë tjetër dhe fakt mjaft interesant është se skuadra gjilanase ka realizuar 10 gola për dy ndeshje, duke regjistruar njëherit bilancin më pozitiv ndër vite. Triumfi bindës në fundjavë ishte një ‘’infuzion’’ i mirë për bardhekaltërit që shkëlqyen edhe në mesjavë në ndeshjen e rrethit të parë të DigitAlb Kupës, duke e shkatërruar Vllazninë e Pozhoranit me rezultat 6:2.

EkoHigjiena

Në fakt ky rrebesh golash ka ardhur vetëm pas pjesës së dytë, pasi 45 minutëshi i parë i lojës kaloi nën hijen e një goli tepër diskutabil të vendasve.

Gjuajtja me kokë e Fidan Sejdiut pas harkimit nga këndi të Shqipërim Kelmendit është evituar nga një mbrojtës udhëtues, ndërkohë që gjyqtari anësorë Meriton Berisha ka ngritur flamurin lartë për të sinjalizuar se topi kishte kaluar vijën fatale. Vendasit hidhen në festë për ta gëzuar golin, ndërsa miqtë në protestë e cila u kushtoi atyre me disa ndëshkime.

Fraksioni i dytë i lojës ishte shumë më interesant se ai i pari. Ata pak shikues që ishin mbledhur të paktën panë edhe shtatë gola të tjerë, duke u nisur nga ai i Kelmendit nga penaltia i realizuar në minutën e 53-të.
Vetëm pesë minuta më pas vjen edhe sinjali i parë i skuadrës udhëtuese që prezencën në fushë e dëshmon me një gol të Feriz Frangut.

Por, gjithsesi janë vendasit ata që kanë kontrollojnë ndeshjen dhe dominimin e tyre në terren e kurorëzojnë sërish në minutën e 73, me autor Florim Berishën. Në vazhdim dy skuadrat shthuren në repartin defansiv duke lëshuar ritmin e lojës.

Nga një pakujdesi e mbrojtjes vendase, Shkëlqim Aliu i miqve përfiton duke dërguar topin ne këndin e djathtë të Huruglicës për ngushtimin e epërsisë, 3:2.

Menjëherë në anën tjetër përgjigjet Florim Berisha që me një gjuajtje të saktë nga largësia mposht sërish gardianin Halimi, kësaj radhe për 4:2.

Fundi i lojës sjell edhe dy gola të tjerë, fillimisht Blendim Gashi realizon golin e aq shumëkërkuar në minutën e 87, krejt në fundin e ndeshjes, Shqipërim Kelmendi ‘’shkund’’ rrjetën e Halimit për të gjashtën herë në ndeshje.

Drita – Vllaznia (P) 6:2
Stadiumi i Qytetit në Gjilan
Shikues: 50
Gjyqtarë: A.Tahiri, M.Berisha, B.Morina
Vëzhgues: Genc Fazliu
KV: Tusuni, Rexhepi – A.Aliu, Miftari, E.Pira
Shënues: Sejdiu 34’, Kelmendi (p) 35’, 90’, Berisha 73’, 77’, Gashi 87’ – Frangu 58’, Sh.Aliu 75’

Drita: Huruglica, Baxhuku, Haliti, Limani, Tusuni, Berisha, Ajdari (Hajrullahu), Sejdiu (Rexhepi), Gashi, Kelmendi, Murati (Kastrati). Trajner: Afrim Shahini.

Vllaznia (P): I.Halimi, G.Halimi, A.Aliu, Miftari, Beqiri, Halabaku, Rashiti (V.Pira), Sh.Aliu, S.Aliu, Frangu, Kuka (Pira). Trajner: Elmaz Halimi.

/Drilon SYLEJMANI/ 2L ONLINE/

/fotoarrkivi/