DYLON
Edhe këmbësoret mund të gjobiten

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan: Detyrimet e këmbësoreve në trafik

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan: Detyrimet e këmbësoreve në trafik
Avatar photo Redaksia
/Respektimi i rregullave të komunikacionit ndikon drejtpërdrejt në parandalimin e aksidenteve dhe ruajtjen e jetës së qytetarëve/

Nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan është bërë me dije se siguria në trafik është përgjegjësi e përbashkët e të gjithë pjesëmarrësve në rrugë, përfshirë edhe këmbësorët. Respektimi i rregullave të komunikacionit ndikon drejtpërdrejt në parandalimin e aksidenteve dhe ruajtjen e jetës së qytetarëve.

Gjatë kalimit të rrugës, këmbësori obligohet të ketë kujdes të posaçëm dhe nuk duhet të hyjë në rrugë drejtpërdrejt para mjeteve në lëvizje, përfshirë edhe hyrjen në vendkalimin e këmbësorëve pa u siguruar paraprakisht për sigurinë e kalimit.

EkoHigjiena

Po ashtu, përdorimi i telefonit mobil gjatë kalimit të rrugës paraqet rrezik serioz për sigurinë e këmbësorit. Për këtë shkelje parashihet gjobë në vlerë prej pesëdhjetë (50) euro.

Me gjobë prej pesëdhjetë (50) euro dënohet edhe këmbësori i cili gjatë kalimit të rrugës përdor dëgjuese në vesh apo pajisje të tjera të ngjashme.

Në vendet ku trafiku rregullohet me semaforë, këmbësorët janë të obliguar të respektojnë sinjalizimin ndriçues. Mosndalja në shenjën e dritës së kuqe dënohet me gjobë prej pesëdhjetë (50) euro.

Gjithashtu, në rrugët ku ka vendkalime të shënuara për këmbësorë, ata duhet t’i përdorin këto hapësira për kalimin e rrugës. Kalimi jashtë vendkalimeve të shënuara përbën shkelje dhe dënohet me gjobë prej pesëdhjetë (50) euro.

Nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan theksohet se respektimi i këtyre rregullave kontribuon në një trafik më të sigurt dhe në mbrojtjen e jetës së secilit pjesëmarrës në komunikacion.  /2LONLINE/