Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim vazhdon aktivitetet edukative me nxënësit e shkollave të Gjilanit
Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim e Komunës së Gjilanit po vazhdon organizimin e aktiviteteve vetëdijesuese dhe edukative për nxënësit, me qëllim rritjen e njohurive dhe përgatitjen e tyre për përballimin e situatave emergjente.
Në kuadër të këtyre aktiviteteve, sot, në SHFMU “Abaz Ajeti” në Gjilan, është mbajtur një ligjëratë edukative e organizuar në bashkëpunim me Drejtorinë Komunale të Arsimit, Policinë e Kosovës, Kryqin e Kuq dhe Njësinë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit.
Gjatë aktivitetit, nxënësit dhe personeli mësimor u njohën nga afër me rolin dhe rëndësinë e institucioneve emergjente në menaxhimin e fatkeqësive natyrore dhe situatave të tjera të rrezikshme.
Përfaqësuesit e Kryqit të Kuq demonstruan teknikat e dhënies së ndihmës së parë, Policia e Kosovës prezantoi rolin e saj në situata emergjente, ndërsa zjarrfikësit i njohën nxënësit me pajisjet dhe mjetet që përdoren gjatë intervenimeve në raste zjarresh, aksidentesh, vërshimesh dhe tërmetesh.
Përmes këtyre aktiviteteve, Komuna e Gjilanit synon të rrisë vetëdijesimin dhe gatishmërinë e nxënësve për të reaguar në mënyrë të drejtë, të sigurt dhe të përgjegjshme në raste emergjente.
Aktivitetet edukative do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim në shkollat e tjera të Komunës së Gjilanit. /2LONLINE/
