Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport prezanton punën njëvjeçare
/2L ONLINE/ – Në konferencën e sotme për media të Drejtorisë për Kulturë Rini e Sport në Viti, është prezantuar puna një vjeçare e kësaj drejtorie, të arriturat, sfidat dhe planet për të ardhmen. Kjo konferencë u organizua edhe në vigjilje të Manifestimit Tradicional kulturor e sportiv “Flakadani i Karadakut 2015”, me që rast edhe u njoftuan mediat për itinerarin e aktiviteteve që do të zhvillohen gjatë këtij evenimenti.
Drejtoresha për Kulturë, Rini e Sport Kaltrina Sylejmani, ka theksuar se kjo drejtori është përfituese e disa projekteve të rëndësishme që kanë për qëllim zhvillimin e kulturës, si dhe përmirësimin e infrastrukturës sportive të komunës së Vitisë.
Ajo ka përmendur projektin Cros Border që është projekt i komunave ndërkufitare, sikur edhe atë të meremetimit të tërësishëm të Shtëpisë së Kulturës, projekte këto të përfituara nga Komisioni Evropian.
“Ne jemi të përkushtuar që të përmirësojmë kushtet e punës dhe për zhvillimin e aktiviteteve dhe të kemi një shtëpi të kulturës sa më funksionale për grupet, artistët, ansamblet dhe gjithë aktivistët e kulturës. Pos kulturës, gjatë vitit 2014 një performancë të mirë kemi pasur edhe në sektorin e sportit, ku kemi qenë të përkushtuar për të përmirësuar infrastrukturën sportive dhe mbështetje e klubeve sportive”, ka thënë Sylejmani.
Duke folur për interesimin e të rinjve për aktivitetet kulturore e sportive, ajo ka vlerësuar lart numrin e atyre të cilët për ditë e më tepër po i’u ofrohen artit dhe kulturës, siç është anëtarësimi në klubet dhe shoqëritë e ndryshme artistike.
Ndër të tjerash ka përmendur përkrahjen e vazhdueshme institucionale të dhënë në fushën e kulturës në vlerë mbi 13.000 euro, si dhe në atë të sportit ku vlera kalon mbi 20.000 euro. Falë kësaj mbështetje të udhëheqësve komunal, ajo tha se Drejtoria për Kulturë Rini e Sport ka arritur të jetë përfituese e disa projekteve me rëndësi, përmes së cilave të rinjtë vitias shumë shpejtë do ta shijojnë infrastrukturën rinore, e cila deri më tani ka munguar në komunën e Vitisë.
Duke folur rreth manifestimin tradicional kulturor e sportiv , Flakadani i Karadakut 2015 që i kushtohet dëshmorit të kombit Nijazi Azemi, – komandant Mjekrra, ajo tha se agjenda e aktiviteteve të manifestimit të sivjetmë është më ndryshe se sa herëve të tjera, duke bërë të ditur se pjesëmarrjen e kanë konfirmuar shumë shoqëri dhe ansamble nga të gjitha trevat shqiptare. /2L ONLINE/
