Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhuroi rreth 100 palë veshmbathje për fëmijët e strehimores
“Sot vizituam Strehimoren për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve “Liria”, një vend ku çdo ditë ofrohet mbështetje, siguri dhe shpresë për nënat dhe fëmijët që kanë përjetuar dhunë”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (DSHMS) të Komunës së Gjilanit.
Mimoza Kadriu Qerimi, drejtoreshë e DSHMS-së ka thënë se kjo vizitë ishte një mundësi për të shprehur mirënjohjen tonë të sinqertë ndaj stafit të kësaj qendre për përkushtimin dhe angazhimin e tyre shumëvjeçar në mbrojtjen dhe përkrahjen e këtyre kategorive të ndjeshme të shoqërisë.
Drejtoresha Kadriu Qerimi bëri me dije se, Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhuroi rreth 100 palë veshmbathje për fëmijët e strehimores, si një kontribut modest, por me shumë dashuri dhe solidaritet.
“Kujdesi për viktimat e dhunës nuk është vetëm detyrim institucional, por edhe përgjegjësi njerëzore. Së bashku mund të ndërtojmë një shoqëri më të sigurt, më të drejtë dhe më të kujdesshme për çdo nënë dhe çdo fëmijë”, ka thënë drejtoresha e DSHMS-së. /2LONLINE/
