Drejtoria e Inspektoratit dhe ajo për Kulturë, Rini e Sport shpalosin planet

Drejtoria e Inspektoratit dhe ajo për Kulturë, Rini e Sport shpalosin planet

Drejtoria e Inspekcionit por edhe Drejtoria për Kulturë Rini e Sport, kanë mbajtur sot një konferencë për shtyp, në të cilën kanë prezantuar punën një vjeçare gjatë vitit 2016, si dhe planet në të ardhmen.

Fillimisht drejtori i Inspektoratit në Viti Skender Ahmeti, ka përmendur aktivitetin e sektorëve të kësaj drejtore, duke thënë se viti që lamë pas ka rezultuar si shumë i suksesshëm. Ai ka potencuar se janë bërë inspektime në terren dhe nga kjo është arrit që të jetë nën kontroll në të gjithë sektorët.

“Në sektorin e veterinarisë, ka qenë një vit me plot sfida për faktin e paraqitjes së sëmundjes së gjedhit, e cila ka shkaktuar dëme tek fermerët dhe për çka kemi qenë të detyruar të mbyllim tregun e kafshëve për disa muaj. Në sektorin e ndërtimtarisë kemi diku 30 raste që kemi detyrua të pajisen me leje ndërtimi. Gjithashtu kemi marrë aksione në asgjësimin e mallrave ushqimore me afat të skaduar”, ka thënë ndër të tjerash drejtori Ahmeti.

Ai duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ka theksuar se do të jenë të përkushtuar për të vazhduar planin për lirimin e hapësirave publike edhe gjatë këtij viti.

Ndërsa duke elaboruar punën e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë e Sportit, drejtoresha Kaltrina Sylejmani ka thënë se viti 2016 ka qenë si viti më kulmor sa i përket aktiviteteve, por edhe investimeve në sektorin e kulturës, sportit e edhe të rinisë.

Ndër të tjerash ka përmendur veç e veç të gjitha aktivitetet e zhvilluara, duke përfshirë shënimin e ditëve të rëndësishme, manifestimeve të ndryshme, promovimeve të librave, organizimit të koncerteve e shfaqjeve teatrale etj.

Kurse ka veçuar manifestimin “Flakadani i Karadakut 2016” si dhe Festivalin e fotografisë “Pimi Photography”, me që rast ehe ka falënderuar gjithë sponsorët që kanë ndihmuar në mbarëvajtjen e këtij Festivali. Drejtoresha Sylejmani gjithashtu ka përmendur investimet që janë bërë në Drejtorin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe ka potencuar veçanërisht subvencionimin e Organizatave Joqeveritare që veprojnë në komunën e Vitisë.

“Vitin 2016 do ta quaja si vit legjendar sa i përket i mbështetjes që i kemi dhënë OJQ-ve përmes subvencionimit. Janë diku 20 OJQ që kanë qenë përfituese dhe vlera totale nga të gjitha kodet e subvencionimit arrin në afër 80.000 euro. Ne për këtë i jemi falënderues projektit ndërkufitar të Komisionit Evropian Cross Broder, Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit dhe donatorëve të tjerë”, ka thënë ajo.

Drejtoresha Sylejmani gjithashtu tha se viti 2017 do te jete edhe me i suksesshëm edhe nga realizimi i aktiviteteve po ashtu edhe nga investimet, me ç ‘rast përmendi investimin në 2 stadiumet e futbollit, Shtëpinë e Kulturës, Shkollës se parë shqipe ne Pozheran, Muzeut brenda Shtëpisë se Kulturës, rregullimit te ndriçimit profesional ne sallën e teatrit, poligonet sportive etj.

Duke folur për arritjet e drejtorisë që ajo udhëheq, ka përmendur edhe vlerësimin shumë të mirë që i është bërë Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të komunës së Vitisë, nga ana e organizatave monitoruese si “Ubo Consulting” dhe “GAP”.

KOMENTE