Drejtoria e Inspeksionit gjobit personin që hodhi mbeturina në livadhet e Malishevës
Pas pranimit të një ankese për hedhjen e mbeturinave në livadhet e Malishevës, Drejtoria e Inspeksionit në Komunën e Gjilanit ka ndërmarrë menjëherë veprimet e nevojshme në terren, duke arritur të identifikojë personin përgjegjës për hedhjen e tyre.
Pas identifikimit, ndaj personit përgjegjës janë ndërmarrë masat në përputhje me legjislacionin në fuqi. Atij i është shqiptuar gjobë në vlerë prej 300 euro, si dhe është urdhëruar që mbeturinat t’i largojë nga hapësira dhe t’i dërgojë në Deponinë Regjionale të Mbeturinave.
Pas urdhëresës së lëshuar nga inspektorët, personi përgjegjës ka vepruar sipas kërkesës dhe ka bërë largimin e mbeturinave nga lokacioni.
Drejtoria e Inspeksionit apelon te të gjithë qytetarët që të mos hedhin mbeturina në hapësira publike, livadhe apo zona të tjera të papërcaktuara për këtë qëllim dhe rikujton se ndaj çdo shkelësi do të ndërmerren masa në përputhje me ligjin.
Njëkohësisht, qytetarët njoftohen se Deponia Regjionale e Mbeturinave është e hapur edhe ditëve të shtuna, nga ora 08:00 deri në 16:00, ku mund të bëhet deponimi i mbeturinave në mënyrë të rregullt dhe të kontrolluar.
“Të kontribuojmë së bashku për një komunë më të pastër dhe një mjedis më të shëndetshëm”, thuhet në fund të njoftimit të Drejtorisë së Inspeksionit në Komunën e Gjilanit. /2LONLINE/
