Drejtoria e Inspekcionit e angazhuar në lirimin e hapësirave publike
/2L ONLINE/ – Drejtoria komunale e Inspekcionit në Viti, në kuadër të angazhimeve të saja për lirimin e hapësirave publike dhe rrugëve, ka ndërmarrë sot një aksion për hapjen e një rruge në fshatin Smirë, e cila për më shumë se 20 vite ishte e mbyllur për qarkullim.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Inspekcionit në Viti Skender Ahmeti, ka thënë se ky aksion është marrë pas kërkesave të banorëve të fshatit Smirë, të cilët për vite me radhë kanë kërkuar nga autoritetet komunale që të bëhet hapja e kësaj rruge që do tu mundësonte një qarkullim më të lehtë atyre.
Kjo rrugë ka një gjatësi prej më shumë se 200 metrash, ndërkohë që do të ndikoj pozitivisht në zbutjen e konflikteve mes qytetarëve por edhe në qarkullim shumë më të lehtë të banorëve të fshatit Smirë që jetojnë në këtë zonë.
Ahmeti falënderoi edhe policinë e Kosovës që po mbështet në vazhdimësi Drejtorinë e Inspekcionit me asistim të ekipeve të policisë në terren, gjë që po e lehtëson dukshëm edhe funksionimin e kësaj drejtorie.
Edhe pse policia ishte e pranishme gjatë aksionit në Smirë, nuk u pa e nevojshme që ajo të intervenoj pasi që gjithçka u realizua pa ndonjë problem. Drejtoria e Inspekcionit në vazhdën e aksioneve të saja, ka shpërnda vendime edhe pronarëve të 4 kioskave në Pozheran për largim të tyre në një afat deri të martën.
Kjo për shkak se do të punohet në rregullimin e parkut të fshatit dhe duhet të lirohen hapësirat publike./2L ONLINE/


