Drejtori Shabani vlerëson përkushtimin e Sebi Ismajlit: “Shembull i forcës dhe i dinjitetit për të gjithë ne”
Drejtori i Drejtorisë së Administratës së Përgjithshme në Komunën e Gjilanit, Elbasan Shabani, ka shprehur vlerësim të lartë për zyrtaren e Administratës, Sebi Ismajli, duke e cilësuar atë si një shembull të forcës, përkushtimit dhe qëndrueshmërisë.
Në një deklaratë të tij, Shabani ka veçuar rrugëtimin e gjatë të Ismajlit në shërbim të Administratës së Komunës së Gjilanit, ku për 27 vjet, pavarësisht sfidave dhe vështirësive të shumta, ajo ka vazhduar të kryejë detyrën me profesionalizëm dhe përkushtim.
“Për 27 vite, Sebi ka kaluar nëpër shumë sfida, dhimbje e vështirësi, por asnjëherë nuk është dorëzuar. Ka vazhduar të jetë pjesë e Administratës dhe t’u shërbejë qytetarëve me profesionalizëm, dinjitet dhe përkushtim”, ka deklaruar Shabani.
Ai ka theksuar se prania e saj në Administratën Komunale përbën një vlerë të veçantë për institucionin dhe kolegët e saj.
“Si drejtor i Administratës, jam krenar që në ekipin tonë kemi një grua të fortë, të palodhur dhe shembull për të gjithë ne. Respekt i madh për ty, Sebi. Gjithmonë je shembull i forcës për të gjithë ne. Të urojmë shëndet dhe jetë të gjatë!”, ka thënë Shabani.
Vlerësimi i drejtorit Shabani vë në pah jo vetëm përkushtimin profesional të Sebi Ismajlit, por edhe qëndrueshmërinë e saj përballë sfidave jetësore, duke e cilësuar atë si një shembull të përkushtimit dhe shërbimit ndaj qytetarëve. /2LONLINE/
