Drejtori Rajonal i Policisë në Gjilan zhvilloi takim pune me udhëheqësit e gjykatave Gjilan dhe Novobërdë
Drejtori Rajonal i Policisë në Gjilan, Kolonel Agron Rukiqi, i shoqëruar nga stafi drejtues i Drejtorisë Rajonale të Policisë, ka zhvilluar një vizitë pune në Gjykatën Themelore në Gjilan – Dega në Novobërdë ku ka zhvilluar një takim pune me Kryetarin e Gjykatës Themelore në Gjilan z. Venhar Salihu dhe Gjyqtarin mbikëqyrës të Gjykatës Themelore në Gjilan – Dega në Novobërdë z. Gazmend Ajvazi.
Gjatë këtij takimi u diskutua për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet Policisë së Kosovës dhe sistemit gjyqësor, me theks të veçantë në koordinimin institucional, komunikimin e vazhdueshëm dhe efikasitetin në trajtimin e rasteve.
Të dyja palët vlerësuan lart nivelin e bashkëpunimit profesional të deritanishëm, duke theksuar ngritjen e kapaciteteve dhe koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta, me synim rritjen e efikasitetit në trajtimin e çështjeve me interes të përbashkët dhe ofrimin e një shërbimi sa më cilësor për qytetarët.
Pas përfundimit të takimit, së bashku realizuan një vizitë edhe Stacionin Policor në Novobërdë, ku u prit nga menaxhmenti i stacionit. Gjatë kësaj vizite u diskutua për situatën e përgjithshme të sigurisë në këtë komunë, realizimin e objektivave operative, sfidat me të cilat përballen zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrave, si dhe prioritetet për periudhën në vijim.
Drejtori Rajonal, kolonel Agron Rukiqi falënderoi z. Salihu dhe z. Ajvazi për bashkëpunimin e deritanishëm dhe theksoi se bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet Policisë, Gjykatës dhe institucioneve të tjera të drejtësisë mbetet një faktor i rëndësishëm në parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit, rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet e sigurisë dhe garantimin e sundimit të ligjit. /2LONLINE/
