Drejtori Pira: Fermerët e Vitisë nuk mund të lihen më vetëm, kërkojmë kompensimin e dëmeve të grumbulluara ndër vite nga niveli qendror
Drejtori për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural i Komunës së Vitisë, Naim Pira, së bashku me zyrtarët e drejtorisë dhe anëtarët e Komisionit Komunal për Vlerësimin e Dëmeve, kanë vizituar zonat e prekura nga reshjet e fundit të breshrit, ku nga afër kanë parë dëmet e mëdha të shkaktuara në kulturat bujqësore.
Sipas vlerësimeve të para, dëmet më të rënda janë evidentuar në fshatin Skifteraj, veçanërisht në kulturat e shalqirit, pjeprit, misrit dhe kulturave të tjera bujqësore.
Drejtori Pira bëri me dije se Komisioni Komunal do të vazhdojë punën në terren për të bërë vlerësimin e plotë dhe real të dëmeve në afatin sa më të shkurtër. Me këtë rast ai shprehu shqetësimin e tij për gjendjen e rëndë të fermerëve, duke theksuar se shumë prej tyre kanë humbur mundin e një viti të tërë.
“Është e papranueshme që fermerët tanë që kanë pësuar dëme të mëdha vit pas viti akoma nuk janë kompensuar. Kjo situatë po i rëndon jashtëzakonisht shumë bujqit, të cilët me punën e tyre sigurojnë jetesën e familjeve dhe kontribuojnë në zhvillimin e bujqësisë”, u shpreh Pira.
Ai shtoi se nuk mund të kërkohet prodhim vendor, ndërsa fermerët të lihen pa mbështetje kur goditen nga fatkeqësitë natyrore duke i bërë thirrje Ministrisë së Bujqësisë që fermerët të dëmtuar të kompensohen sa më parë. /2LONLINE/
